Lajme

Arrestohen një polic e qytetar, u rrahën në një lokal në Ranillug

Një zyrtar policor dhe një qytetar janë arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për një rrahje në një lokal në Ranillug të Gjilanit.

Madje, zyrtarit policor iu është rekomanduar edhe suspendimi nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Zyrtari policor ishte i angazhuar në Stacionin Policor të Ranillugut dhe ishte jashtë detyrës zyrtare.

Në një njoftim për media është bërë e ditur se dy të dyshuarit janë përfshirë në një rrahje, ku të njëjtit edhe kanë pësuar lëndime trupore.

“Me aktvendim të prokurorisë kompetente të dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ndaj dy të dyshuarve është parashtruar kallëzim penal nga IPK-ja. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.