Tre persona janë arrestuar në Mitrovicën e Jugut, pasi dyshohen për dy raste të vjedhjes së rëndë në ndërrmarjen SHA “Trepça”.
Siç bën të ditur Policia, si pjesë e hetimeve janë kryer bastisje në disa lokacione.
“Si pjesë e hetimeve policor janë realizuar edhe bastisje në disa lokacione, me ç’rast janë arrestuar tre të dyshuarit, ndërsa në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një automjet me rimorkio dhe dëshmi të tjera relevante”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me rastin, Policia bën të ditur se dy rastet e vjedhjes kanë ndodhur disa muaj më parë.
“Nga hetimet e zhvilluara dhe provat e siguruara dyshohet se të arrestuarit, në bashkëveprim janë të përfshirë në dy raste të vjedhjes së rëndë të ndodhura disa muaj më parë në hapësirat e ndërmarrjes SHA “Trepça” në Mitrovicë”, bëjnë të ditur nga Policia.
Më tej, siç njoftohet, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kompetent, tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
