Policia e Kosovës ka arrestuar asambleistin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Enver Rrahmanin, nën dyshimin se ka kanosur dhe sulmuar fizikisht Kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqin.
Në raportin 24 orësh bëhet me dije se i njëjti është dërguar në mbajtje.
“SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR-Podujevë / 12.09.2024 – 13:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Ndryshe, Bulliqi dhe Rrahmani janë përplasur verbalisht dje gjatë seancës së Kuvendit Komunal.
Ata i janë drejtuar njëri-tjetrit me shprehje si “tradhtar”, “pis”, “legen”.
Si pasojë, është ndërprerë edhe seanca. Në pamjet e publikuara shihet se Rrahmani i afrohet Bulliqit dhe se pastaj ndërhyjnë asambleistët, mirëpo nuk shihet ndonjë konfrontim fizik.