Lajme

Arrestohet në Vlorë 23-vjeçari nga Peja, u kap në flagrancë duke tentuar të vidhte një veturë

Një person nga Peja është arrestuar të mërkurën në Vlorë, pasi ishte kapur në flagrancë teksa tentonte të vidhte një veturë.

Siç ka njoftuar Policia e Shqipërisë, 23-vjeçarit me inicialet G.P. i është gjetur edhe një thikë, që është sekuestruar.

Sipas njoftimit, pos kapjes në flagrancë gjatë tentimit të vjedhjes së një veture, 23-vjeçari dyshohet për edhe një vjedhje tjetër para pak ditësh në një lokal në Vlorë.

“Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe punës së pandërprerë për parandalimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjes, si dhe për kapjen e autorëve të tyre, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit G. P., 23 vjeç, banues në Pejë, Kosovë. Ky shtetas u kap më datë 10.03.2026 , rreth orëve të para të mengjesit, në lagjen “24 Maji”, në momentin që po tentonte të vidhte një automjet tip furgon. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur kapjen e tij në flagrancë dhe parandalimin e vjedhjes. Gjatë kontrollit personal, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një mjet prerës (thikë). Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se i njëjti shtetas dyshohet të jetë autor edhe i një vjedhjeje tjetër, të ndodhur më datë 06.03.2026, ku është marrë një shumë parash në një lokal në lagjen “10 Korriku”, në qytetin e Vlorës”, thuhet në njoftim.

Ai dyshohet tani për veprat penale të vjedhjes dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Të Ngjashme