Një i mitur, i cili ishte në kërkim policor për veprën penale dhunim, është arrestuar të premten nga Njësia për Realizimin e Urdhëresave e Stacionit Policor Veriu në Prishtinë.
Në njoftimin zyrtar të Policisë bëhet e ditur se i mituri ishte i dënuar me tre vjet masë institucionale edukative.
Pas arrestimit, ai është dërguar në qendrën korrektuese për të mitur, në përputhje me vendimin gjyqësor.
“Njësia për Realizimin e Urdhëresave, në kuadër të Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, ka realizuar me sukses arrestimin e një personi, i cili ishte në kërkim policor. I mituri ishte i dënuar me tri (3) vjet masë institucionale edukative për veprën penale ‘dhunim’. Pas arrestimit, i njëjti është dërguar në qendrën korrektuese për të mitur sipas vendimit gjyqësor”, thuhet në njoftim.
