Zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Mitrovicë të Veriut kanë arrestuar të premten një person të kërkuar nga drejtësia.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, bëhet fjalë për K.M., 51-vjeçar, i cili është arrestuar në adresën e tij të banimit në Mitrovicë të Veriut.
I njëjti ishte në kërkim në bazë të një urdhërese të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për veprën penale “Sulm”, ndërsa ishte dënuar me gjashtë muaj burgim.
Pas përfundimit të procedurave dhe kompletimit të dokumentacionit përkatës, personi i arrestuar është dërguar në vuajtje të dënimit.
Policia ka bërë të ditur se, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut, gjatë periudhës janar–gusht 2026, janë realizuar gjithsej 95 urdhëresa të gjykatave kompetente.
Nga këto raste, 11 persona janë dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa personat e tjerë, pas përfundimit të obligimeve të tyre në gjykatë, janë liruar.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me realizimin e urdhëresave të gjykatave ndaj personave të kërkuar, të cilët ende nuk u janë përgjigjur thirrjeve të organeve të drejtësisë.
Në të njëjtën kohë, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast se kanë informacione për persona të kërkuar nga organet e rendit, t’i njoftojnë autoritetet përmes numrit 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”.
Policia ka theksuar se të dhënat e qytetarëve do të ruhen në konfidencialitet të plotë.
