Lajme

Arrestohet profesori në Gjilan, dyshohet se e ngacmoi seksualisht nxënësen e tij

Një profesor i një shkolle të mesme në Gjilan, po dyshohet se ngacmoi seksualisht një nxënëse të tij.

I njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe me vendim të  prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Është raportuar se viktima femër kosovare është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet nga PK.

Nga Prokuroria Themelore e Gjilan, në një përgjigje për Tëvë1 kanë thënë se kanë dorëzuar kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Raste si ky i Gjilanit, sipas njohësve të arsimit, shpërfaq nevojën që personelit arsimor t’u bëhen kontrolle të vazhdueshme psikiatrike.

“Mësimdhënësit që pranojnë që me të vërtetë të jenë mësimdhënës duhet t’iu nënshtrohen kontrolleve të tjera paraprake, qoftë psikologjike, psikiatrike e shëndetësore. Me ditë që me të vërtetë ai që po del dhe po ia besojmë nxënësit, a është vërtetë edhe psikologjikisht i shëndetëshëm. Kështu që, duhet një kontroll e tillë sepse me kontrolla të inspektorave nuk mund t’i hetojmë këto dukuri, nuk mund t’i identifikojmë këto dukuri”, thotë Ismet Potera njohës i arsimit.

Përpos këtij rasti, në raportin 24 orësh të Policisë, u raportuan edhe disa raste të tjera.

Në Graçanicë – i dyshuari mashkull kosovar kishte ushtruar dhunë verbale nga viktimës femër kosovare.

Në Graçanicë gjithashtu i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se ka ushtruar dhunë psiqike ndaj viktimës femër kosovare.

E në Fushë Kosovë – një viktima femër kosovare është ofenduar dhe sulmuar nga i dyshuari mashkull kosovar.

Po në Fushë Kosovë i dyshuari mashkull kosovar përmes telefonit dyshohet se ka kanosur dy viktima femra kosovare.

Ndërkaq në Shtime i  dyshuari mashkull kosovar dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare.

E në Zveçan dy viktima femra, përmes rrjetit social TIKTOK janë ngacmuar nga i dyshuari mashkull.

Të gjitha këto raste u raportuan në Policinë e Kosovës, brenda 24 orëve të fundit.

“Shumë raste nuk paraqiten fare, por këto do të thotë se është një përqindje e  vogël që paraqitet. Natyrisht që çdo dhunë është e papranueshme, është e dënueshme dhe është alarmante. E kemi një infrastrukturë ligjore të mirë, e cila i lufton këto dukuri, por problemi është se ne kryesisht po merremi me pasoja dhe mungojnë programet parandaluese”, thotë Behxhet Shala nga KMDLNJ.

Aktualisht, në betejë ligjore për akuzat për ngacmim seksual është profesori universitar Xhevat Krasniqi.

Të Ngjashme