Shën Tropëzi, dikur simbol i luksit, elegancës dhe pushimeve të qeta të yjeve të Hollywood-it, po përballet me një transformim të madh.
Një artikull i “New York Post” ngre shqetësimin se destinacioni i famshëm në jug të Francës është kthyer në një pikë të mbipopulluar nga turistët, influencerët dhe aktivitetet e markave luksoze.
Qyteti që dikur njihej për atmosferën e tij të veçantë dhe diskrete tashmë po përballet me turizëm masiv dhe një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh që e shohin atë si një skenë perfekte për fotografi dhe video për rrjetet sociale.
Shën Tropëzi ka qenë prej dekadash një prej destinacioneve më të preferuara të personazheve të famshëm. Emra të mëdhenj të kinemasë, përfshirë Brigitte Bardot, ndihmuan në krijimin e imazhit të qytetit si një parajsë ekskluzive për të pasurit dhe VIP-at.
Por sot, sipas raportimit, atmosfera ka ndryshuar.

Çmimet e hoteleve janë rritur ndjeshëm, ndërsa pronat luksoze vazhdojnë të tërheqin blerës të pasur nga e gjithë bota. Në të njëjtën kohë, markat e mëdha të modës kanë nisur të organizojnë evente spektakolare në qytet, duke e kthyer gjithnjë e më shumë në një hapësirë marketingu.
Dior, Gucci dhe Jacquemus janë mes markave që kanë përdorur Shën Tropëzin për aktivitete dhe evente luksoze.
Kjo ka sjellë edhe një tjetër lloj turizmi: influencerët dhe krijuesit e përmbajtjes që udhëtojnë drejt qytetit kryesisht për të krijuar materiale për rrjetet sociale.

Për shumë prej vizitorëve të vjetër, Shën Tropëzi po humbet pikërisht atë që e bëri të famshëm: qetësinë, elegancën dhe ndjesinë e një vendi ekskluziv.
Megjithatë, pavarësisht kritikave, qyteti vazhdon të tërheqë mijëra turistë dhe mbetet një prej destinacioneve më të kërkuara të rivierës franceze.

