Lajme

“Artistët kanë vetëm datë lindje”, rrëfimi prekës i djalit të artistit Kadri Roshi

Djali i artistit më madh shqiptar Kadri Roshi ka rrëfyer sot në RTSH të pathënat nga jeta dhe veprat artistike të babait të tij.

I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, Kliti Roshi foli për punën dhe veprat që babai i tij ka lënë pas.

Në një rrëfim emocionues Kliti Roshi tha se të gjithë artistët e brezit dhe plejadës së Kadri Roshit kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë të gjallë.

“Ata nuk kanë datë tjetër veçse atë të lindjes. Ky është fati i artistëve të vërtetë,” tha Kliti Roshi.

I biri i aktorit të madh foli në studio për talentin e madh që babai i tij kishte në aktrim, por edhe për mënyrën se si interpretonte në skenë dhe filma.

“Nëse Kadri Roshi u bë ai që u bë, mund të them më shumë në saje të punës. Duhet të dini që Kadri Roshi ka luajtur gjithë jetën si rezultat i një gabimi që bëri. Ka luajtur kur ka qenë gagaç, i merrej goja, sepse kur ishte i vogël atje në Ballsh ishte një familje me 11 vet dhe ky e imitonte në mënyrën më të përsosur, por iu ngjit. Nuk ishte e lindur. U bë! Në skenë nuk ka ditur kurrë t’i merrej goja me përjashtim kur ka luajtur Mit’hat Frashërin, që ka qenë gagaç në jetë tek “Karavidhet”. Nuk mund të behësh aktor pa kulturë. Kadri Roshi kur ka bërë ‘Arturo Uin’ në vitin 1971 e ka interpretuar për herë të parë dhe në 6 muaj prova ai ishte më i saktë sesa historiani më i madh gjerman,” tha i biri i aktorit të madh.

Djali i artistit tha gjithashtu se me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Kadri Roshit, ai do të organizojë një aktivitet në nder të artistit të madh.
Kujtojmë se Kadri Roshi u nda nga jeta më 6 shkurt të vitit 2007.

“Është një aktivitet i cili ka tre vjet që më ka lindur në mendje dhe mund të them me gojën plot që është bërë me iniciativën e familjes. Ka pasur ndihma nga kompani të ndryshme private dhe shtetërore. Po plotësoj një boshllëk timin që e ndieja vërtet si një borxh ndaj tij, prandaj mendova që për 100-vjetorin të organizoja diçka të bukur, ku vlera e së tërës është të kujtohen dhe të mos zhduken, se ‘nuk është vdekje kur mbulohesh me dhe. Vdekja e vërtet është harresa’,” tha Kliti Roshi.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo