Shëndetësi

As mosha, as testosteroni: zbulimi që ndryshon gjithçka për shëndetin seksual të burrave

Për vite me radhë, çdo rënie e dëshirës seksuale te burrat është lidhur automatikisht me uljen e nivelit të testosteronit. Por shkenca po hedh dritë mbi një të vërtetë më të ndërlikuar dhe më shpresëdhënëse. Një studim i fundit nga Spitali Universitar i Münsterit në Gjermani, i prezantuar në Kongresin ENDO 2025 në San Francisko, sugjeron se shkaku i vërtetë i rënies së funksioneve seksuale mashkullore mund të jetë metabolizmi i ngadalësuar dhe jo vetë hormonet.

Image

Zhvillimi befasues: faji i sheqerit në gjak

Sipas studiuesve gjermanë, niveli i lehtë i rritur i sheqerit në gjak, edhe kur është nën pragun e diabetit, lidhet drejtpërdrejt me përkeqësimin e funksionit erektil dhe lëvizshmërisë së spermës. Ndërkohë, testosteroni lidhet më shumë me dëshirën seksuale (libidon) sesa me vetë aftësinë për ereksion. Kjo do të thotë se një burrë mund të ketë nivele normale testosteroni, por të përjetojë probleme në jetën seksuale për shkak të mosbalancave metabolike.

Studimi: 200 burra të ndjekur për 6 vite

Gjatë një periudhe gjashtëvjeçare (2014-2020), studiuesit monitoruan 200 burra të shëndetshëm, pa sëmundje kronike, në moshë nga 18 deri në 85 vjeç. Testet treguan se, edhe pse hormonet dhe parametra të tjerë mbetën brenda normales, funksioni seksual binte te burrat me nivele të hemoglobinës së glukozuar pak mbi normalen, pa kaluar nivelin e diabetit (6.5%).

Image

Një lajm i mirë: mund të veprojmë

Ndryshe nga mosha, që nuk e ndalojmë dot, metabolizmi mund të ndikohet nga ne. Ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik i rregullt dhe mbajtja nën kontroll e peshës trupore janë faktorë kyç që mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit seksual dhe riprodhues edhe në moshë të avancuar.

“Shpresojmë që këto të dhëna t’i ndihmojnë mjekët dhe pacientët të krijojnë plane efektive për ruajtjen e shëndetit seksual mashkullor,” – tha autori kryesor i studimit, Dr. Michael Zitzmann. “Tani e dimë që është në dorën tonë ta mbrojmë këtë aspekt të rëndësishëm të mirëqenies sonë.”

Të Ngjashme