Lajme

“As PDK, as LDK, as AAK”, reagon deputetja e VV-së: Opozita s’ka ofruar asnjë alternativë për presidentin

Deputetja e Lëvizja VETËVENDOSJE!, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka reaguar ashpër ndaj partive opozitare, duke theksuar se ato nuk janë në pozitë të mbajnë ligjërata lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentes.

Sipas saj, opozita nuk ka ofruar asnjë shenjë konkrete se do ta votonte Presidenten aktuale edhe për një mandat të ri.

Mulhaxha-Kollçaku ka theksuar se përkundër kritikave, opozita nuk ka propozuar asnjë emër dhe nuk ka dorëzuar as edhe një nënshkrim për ndonjë kandidat alternativ.

Ajo ka rikujtuar se në dy raundet e para të votimit për zgjedhjen e Presidentes nevojiten 80 vota, përndryshe procesi nuk mund të vazhdojë tutje.

Postim i plotë:

Opozita nuk është në pozitë të mbajë ligjërata.

Nuk ofruan asnjë shenjë të vërtetë që në cilindo variant do të votonin Presidenten aktuale edhe për një mandat. Asnjë hap konkret dhe bindës.

ASNJË, as PDK, as LDK e as AAK.

Përkundrazi.

Nuk ofruan asnjë emër, e as edhe një nënshkrim për asnjë kandidat.

Në dy raundet e para nevojiten 80 vota, përndryshe procesi nuk vazhdon tutje. Ne vetë nuk i kishim.

Lëvizja VETËVENDOSJE! pas shumë përpjekjeve dhe pasi i dëgjoi me vëmendje dhe duke kuptuar se ata vazhdojnë me bllokada, përmes ofrimit të një kandidati dinjitoz, po bën edhe një përpjekje për të parandaluar zgjedhjet e panevojshme.

Krejt çfarë duhet bërë sonte secili deputet, është të përmbush obligimin e vet kushtetues dhe të jetë në nivel të detyrës për çka edhe është zgjedhur, që vendi mos të shkojë në zgjedhje.

Të Ngjashme