Lajme

Asamblistja e LVV-së në Kaçanik thotë se u kërcënua nga drejtoresha, kjo e mohon

Një asambliste e Vetëvendosjes në Komunën e Kaçanikut, Ernesa Krasniqi thotë se është kërcënuar nga drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në këtë komunë, Hafize Sallahu. Krasniqi thotë se kjo ndodhi pasi ajo ngriti shqetësime për një subvencion të komunës për bizneset e vogla, ku katër përfituesit ishin familjarë të drejtorëve të drejtorive në këtë komunë. Në lidhje me rastin nuk pranojnë të flasin kryetari e nënkryetari i kësaj komune.

Më 5 shtator, asamblistja e Vetëvendosjes në komunën e Kaçanikut, Ernesta Krasniqi ngriti një shqetësim në mbledhjen e Kuvendit Komunal.

Krasniqi përmendi një vendim të kësaj komune për ndarje të subvencioneve për bizneset e vogla, ku, sipas Krasnqit, katër përfitues ishin familjarë të drejtorëve në këtë komunë.

E pasi e përmendi vajzën e drejtoreshës së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në këtë komunë, Hafize Sallahut ajo mori një mesazh nga kjo e fundit.

Krasniqi thotë se është ndjerë e kërcënuar me qasjen e saj.

Sipas Krasniqit, nga subvencionet nuk po përfitojnë qytetarët por pushteti.

Mirëpo për të është më shqetësuese që zyrtarët komunal nuk distancohen prej kësaj gjuhe.

Por përmes telefonit, drejtoresha e Kulturës, Hafize Sallahu tha që mesazhi nuk ka qenë kërcënues.

E në mesazhin drejtuar asamblistes së VV-së, Sallahu thotë se vajza e saj është përfituese edhe e një grandi tjetër prej ministrisë.

Mirëpo për këtë Sallahu thotë se ka bërë gabim.

Televizioni provoi të marrë një qëndrim edhe nga kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi dhe nënkryetari Sabedin Vishi mirëpo të njëjtit nuk pranuan të flasin.