Lajme

Asgjë e re nga dialogu me Serbinë – çfarë pas gjykimit në Hagë? Analizohen zhvillimet

Ashtu sikurse në mandatin e kaluar, duke i dhënë përparësi agjendës së brendshme që kryesisht lidhet me çështjet socio-ekonomike, tashmë edhe këtë mandat kryeministri Albin Kurti, nuk po e konsideron dialogun me Serbinë ndër prioritetet e qeverisë së tij.

Në fjalimin para votimit të qeverisë Kurti 3, kryeministri Albin Kurti, nuk e përmendi çështjen e dialogut Kosovë- Serbi, por pavarësisht përpjekjeve të tij që fokusi të jetë te zhvillimi i brendshëm, dialogu vazhdon të jetë temë e rëndësishme për ndërkombëtarët.

Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, të mbajtur javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me një delegacion dypartiak të senatorëve amerikanë: Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego.

Pos tjerash, ai ka treguar se në takim ka përsëritur tri kushtet tashmë të njohura që duhet t’i përmbushë Serbia për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën: ta dorëzojë te organet e drejtësisë së Kosovës të dyshuarin kryesor për sulmin e grupit të armatosur serb në Banjskë, ta nënshkruajë Marrëveshjen e Brukselit dher tas tërheqë letrën e ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq dërguar Bashkimit Evropian me të cilën e ka mohuar integritetin territorial të Kosovës.

“Ishte kënaqësi të takohesha me një delegacion dypartiak të Shteteve të Bashkuara të përbërë nga senatorët Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego. Diskutuam për progresin e Kosovës, i cili është i dukshëm si në aspektin demokratik ashtu edhe në atë ekonomik. Gjithashtu, folëm për angazhimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe shprehëm mirënjohjen tonë për Shtetet e Bashkuara, një aleat i pazëvendësueshëm. Unë theksova se, përsa i përket marrëdhënieve me Serbinë, duhet të dorëzohet Milan Radoiçiq që të përballet me drejtësinë, duhet të nënshkruhet Marrëveshja Bazë dhe duhet të tërhiqet letra e Bërnabiq, e cila e mohon në formë të shkruar integritetin territorial të vendit tonë. Këta hapa do të siguronin llogaridhënie dhe qëndrueshmëri në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Kurti.

A mund të shuhet dialogu ndër vite?

Publicisti Emin Azemi, thotë se Kurti vazhdon t’i mbetet besnik diskursit të tij sa i përket dialogut dhe ky diskurs si duket do të vazhdojë edhe në të ardhmen

“Dialogu me Serbinë është ngushtë i lidhur me kontekstin gjeopolitik, me demokracinë në Serbi dhe me vet situatën e brendshme në Kosovë. Kryeministri Kurti vazhdon t’i mbetet besnik diskursit të tij sa i përket dialogut, sipas të cilit Serbia duhet fillimisht ta njoh shtetin e Kosovës e pastaj të zgjidhen çështjet që kanë të bëjnë me statusin e serbëve lokal. Si duket ky diskurs do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndonëse ende nuk e kemi të qartë nëse BE do të vazhdojë me presione të njëanshme vetëm ndaj Kosovës, apo do ta shikoj këtë çështje në kuadër të një politike parimore, ku Serbia gjithsesi do të duhej të bëhej përgjegjëse për disa veprime destruktive ndaj Kosovës”, deklaron Azemi.

Ai shton se Kosova nuk duhet ta këmbejë mirëqenien dhe stabilitetin me disa çështje që do t’ia rregullonin imazhin e jashtëm Serbisë.

“Dorëzimi i Radojçiqit para organeve të drejtësisë në Kosovë dhe adresimi i përgjegjësive shtetërore ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë dhe në kanalin Ibër-Lepenc, do të duhej të jenë hallkat kryesore që e përbëjnë zinxhirin e përgjegjësive dhe detyrimeve të Serbisë kundrejt Kosovës, por që do të kishin një legjitimim edhe nga BE. Me fjalë të tjera, Kosova nuk duhet ta këmbejë mirëqenien dhe stabilitetin e vet me disa çështje që do t’ia rregullonin imazhin e jashtëm Serbisë, sepse kjo e fundit mbrojtjen e të drejtave të serbëve lokal e përdorë vetëm për konsum të brendshëm dhe për ta paraqitur veten si viktimë në sytë e opinionit ndërkombëtar”, shton publicisti.

Takimi i fundit i nivelit të lartë mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë ka qenë në qershor 2024, ndërsa në vitet e fundit nuk është zhvilluar ndonjë takim i tillë gjatë 2025–2026 deri më tani. Pas sulmit në Banjskë, kryeministri Albin Kurti, paraqiti kushtet e tij për Serbinë dhe pa realizimin e tyre takimet vazhdonin vetëm në nivel kryenegociatorësh.

A duhet rritur presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe a po pritet verdikti i Gjykatës Speciale në Hagë për ecurinë e dialogut?

Ndërsa, veprimtari Agim Aliçkaj, konsideron se qeveritë e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë nuk morën mësime nga arritjet historike.

Sipas tij, dialogu ishte i pabarabartë, i zhvilluar nga pozita inferioriteti, me gabime të mëdha për Kosovën

“Serbia duhet të trajtohet si agresor që e ka humbur luftën Për të pasur një dialog të barabartë dhe të suksesshëm me Serbinë, ai duhet të fillojë nga një pozicion superioriteti dhe force. Duhet të mësojmë nga agresori serb që të qëndrojmë vazhdimisht në ofensivë. Mundësia e një sulmi ushtarak frontal nga Serbia kundër Kosovës nuk ekziston. E drejta, faktet dhe argumentet tona i çmontojnë fabrikimet serbe. Duke u bazuar në të kaluarën, fjalia më e gabuar dhe më e urryer e përdorur vazhdimisht nga diplomatët ndërkombëtarë gjatë katër dekadave të fundit ka qenë: “mos e provokoni Serbinë”. “Mos kërkoni pavarësi, sepse do ta nxisni Millosheviqin”, i thoshin Presidentit Rugova. Ai nuk dëgjoi dhe Kosova fitoi. “Mos e luftoni Serbinë, sepse Millosheviqi do të bëjë masakra mbi popullin”, i thoshin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata nuk dëgjuan; luftuan dhe Kosova fitoi lirinë. “Problematik (troublemaker)”, e quanin disa diplomatë amerikanë në vitet 80-ta ish-kongresmenin me origjinë arbëreshe Joseph DioGuardi dhe kërkonin që ai të mos ishte “agresiv” në Kongresin amerikan. Ai vazhdoi dhe Kosova u afirmua në Uashington, ndërsa Serbia u bombardua. Qeveritë e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë nuk morën mësim nga këto arritje historike. Ato pranuan presionin e diplomatëve ndërkombëtarë “që të mos trazohej, provokohej apo nxitej Serbia”. Dialogu ishte i pabarabartë, i zhvilluar nga pozita inferioriteti, me gabime të mëdha për Kosovën. Ky ishte kapitullim para hyrjes në dialog”, deklaron Aliçkaj.

Ardhja në pushtet e Kurtit dhe Osmanit, sipas Aliçkajt, e shpëtoi Kosovën nga shkatërrimi.

Sipas tij, tashmë qeveria Kurti 3 është në pozitë shumë më të favorshme se në mandatin e kaluar.

“ Pavarësia e fituar me luftë u gjymtua nga negociatat në tavolinë. U lejua ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës nga Serbia dhe ndërkombëtarët; shkelja e të drejtave të popullit shqiptar të Luginës së Preshevës u la jashtë dialogut. U rrezikua humbja e Veriut dhe copëtimi i Kosovës. Ardhja në pushtet e Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani e shpëtoi Kosovën nga shkatërrimi. Në rrethana të vështira, përballë presionit marramendës ndërkombëtar, të sulmuar nga një opozitë e korruptuar dhe e etur për pushtet, nga Kryeministri i Shqipërisë, serbofili Edi Rama, dhe nga një shtyp i shitur, ata qëndruan të pamposhtur. Ndërmjetës evropianë të korruptuar si Lajçak dhe Mogherini tentuan ta shfrytëzonin dialogun për interesa hegjemoniste serbe, për rikthim në Kosovë përmes negociatave. Por Kryeministri Kurti nuk u nënshtrua; ai i përballoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mos bërë lëshime në çështje që rrezikojnë pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror. Kështu u arrit Marrëveshja e Brukselit me Aneksin e Ohrit, e cila nuk është plotësisht e mirë për Kosovën, por të cilën Serbia e ka refuzuar dhe nuk do ta pranojë kurrë. Qeveria e re e Kryeministrit Kurti, e krijuar me shumicë 51%, është në pozitë shumë më të favorshme se në mandatin e kaluar. Populli i Kosovës vendosi dhe vulosi mbështetjen për politikat e tij. Shumë çështje që ai ngriti, për të cilat u sulmua, dolën të drejta dhe fituese. Të gjithë të tjerët dështuan”, thekson veprimtari.

Sipas tij, kërkesat e Kurtit janë të drejta dhe të arsyeshme.

“ Tri kushtet që ai paraqiti para delegacionit të Kongresit amerikan dhe në konferencën e Mynihut janë të drejta dhe të arsyeshme. Dorëzimin e kriminelit Radojçiç e kanë kërkuar edhe ndërkombëtarët. Marrëveshja e Brukselit ishte produkt i Francës dhe Gjermanisë. Ajo përfshin edhe marrëveshje të mëparshme të pazbatuara. Kërkesat e disa diplomatëve dhe zyrtarëve evropianë që Kosova të fillojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje pavarësisht pranimit dhe zbatimit nga Serbia janë absurde. Veçanërisht i pabazë, i padrejtë dhe armiqësor është insistimi që Kosova të krijojë një Asociacion etnik për serbët para se Serbia të zbatojë kushtet e tjera fillestare të marrëveshjes, sidomos njohjen e kufijve ekzistues dhe mosbllokimin e anëtarësimit në forumet ndërkombëtare. Në fakt, një Asociacion njëetnik serb nuk duhet të krijohet kurrë, përveç në formë OJQ-sh, pas njohjes së pavarësisë nga Serbia. Organizata armiqësore Lista Srpska duhet të mbahet nën kontroll deri në shuarjen e saj dhe krijimin e partive të tjera që e njohin Republikën e Kosovës dhe punojnë për interesat e minoritetit serb në Kosovë, jo për ato të regjimit kriminal serbo-rus në Beograd”.

“Pavarësisht se çfarë bëjnë ndërmjetësit dhe diplomatët ndërkombëtarë për interesat e tyre, Kosova duhet ta trajtojë Serbinë ashtu siç është: armik i përhershëm dhe agresor që e ka humbur luftën. Kërkesat për reparacione lufte, adresimin e të zhdukurve me forcë, dënimin e kriminelëve të luftës dhe dënimin e shtetit serb për gjenocid ndaj shqiptarëve duhet të shtohen. Ecuria dhe vendimet e Gjykatës Speciale për ish-luftëtarët e lirisë nuk duhet të lejohen të kenë asnjë ndikim në zhvillimin dhe forcimin e shtetit dhe në dialogun me Serbinë. Formimi i një gjykate njëetnike nga Parlamenti i Kosovës ishte gabim katastrofal. Këtë po e vërteton procesi i kontaminuar gjyqësor i kësaj gjykate, i cili në vend që të fokusohet në krime konkrete dhe përgjegjësi individuale, po tenton të njollosë luftën për liri. Kjo është e turpshme dhe e papranueshme. Populli i Kosovës e gjykoi këtë gjykatë me protestën e 17 Shkurtit. Ndërprerja dhe shuarja e plotë e dialogut me fajin e Serbisë është më e mirë sesa vazhdimi pa rezultate me kërkesa dhe kushte të padrejta për Kosovën. Me kalimin e kohës, edhe diplomatët më të dobët dhe të mashtruar evropianë do ta kuptojnë se nga Serbia nuk vjen asgjë e mirë për Evropën. Serbia është e sëmura e Ballkanit dhe mund të shërohet vetëm me presion të fortë diplomatik dhe ekonomik. Dekriminalizimi i Serbisë është i domosdoshëm. Përkushtimi më i madh i qeverisë Kurti për zhvillimin e brendshëm është i drejtë. Forcimi dhe modernizimi i ushtrisë është në rrugë të duhur. Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik, përmirësim të shëndetësisë dhe arsimit, si dhe rritje të mirëqenies sociale. Ndalimi i emigrimit dhe kthimi i mundshëm i të rinjve duke hapur perspektiva të reja për ta ka rëndësi të madhe. Populli pret rezultate konkrete nga Kryeministri Kurti në këtë mandat. Dënimi që populli i Kosovës i dha opozitës për sjelljet e kaluara në zgjedhjet e 28 dhjetorit duhet të merret seriozisht”, shton Aliçkaj.

Ai kërkon që opozita në Kosovë ta mbështesë Kurtin dhe Osmanin në përballjen me Serbinë, gjersa shton se rizgjedhja e Osmanit si presidente është jetike.

“ Është momenti i fundit që Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të reflektojnë dhe të ndryshojnë në interes të shtetit. Mbështetja e Kryeministrit Kurti dhe Presidentes Osmani në përballjen me Serbinë është minimumi që pritet nga opozita. Edhe pse Republika e Kosovës fizikisht ndodhet në Evropë, orientimi pro-amerikan duhet të rritet dhe të forcohet edhe më shumë. Zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike dhe mundësia e arritjes së një Marrëveshjeje Mbrojtjeje me Amerikën, derisa të krijohen kushtet për anëtarësimin e Kosovës në NATO, janë rruga e vetme që siguron ekzistencën e Kosovës dhe të kombit shqiptar. Rizgjedhja e Presidentes Vjosa Osmani është me rëndësi jetike që arritjet e qeverisë Kurti të vlerësohen dhe afirmohen në forumet ndërkombëtare evropiane dhe amerikane. Ajo ka treguar aftësi, shkathtësi dhe suksese të jashtëzakonshme në këtë drejtim. Kushdo që e bllokon rizgjedhjen e saj do të përballet me gjykimin e popullit në zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhja e saj presidente edhe për një mandat është interes shtetëror dhe kombëtar”, përfundon veprimtari.

Të Ngjashme