Derisa ditë më parë, u formua qeveria e re e Kosovës, brenda kabinetit qeverisës kishte disa ndryshime.
Një ndër emërimet më të komentuara të qeverisë Kurti 3, është ai i Glauk Konjufca si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme, një pozitë kyçe në një periudhë të ndjeshme për politikën e jashtme të vendit.
Ky emërim vjen në një kohë kur dialogu ndërmjet Kosova dhe Serbia mbetet një nga sfidat kryesore politike dhe diplomatike.
E në lidhje me këtë emërim të Konjfucës, për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri i cili e vlerësoi atë si një nga politikanët më të mirë në Kosovës.
Përveç kësaj, ai tha se, Konjufca është edhe një figurë unifikuese dhe përvoja e tij do e ndihmojë në përfaqësimin e drejt të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Gani Qarri
“Glauk Konjufca, është njëri nga politikanët më të mirë dhe më të moderuar, që ka aktualisht jo vetëm LVV, por edhe Kosova i cili me të drejtë konsiderohet si figura më unifikuese dhe strategjike e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe politikani më i moderuar edhe sa i takon politikës së brendshme dhe partive rivale në vend përfshi edhe përfaqësimin e vendit në çështjen e dialogut problematik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Mirëpo, Qarri kërkoi nga Konjufca që ta mbështes dhe t’i qënndrojë parimit të ligjit të nënshkruar nga SHBA, për mosndryshim të kufijve.
Sipas tij, duke u nisur nga ky parim, duhet të dialogohet me Serbinë.
“Duke qenë se në ligjin e nënshkruar të mbrojtjes, nga presidenti Trump, Kosova përfshihet në buxhetin e mbrojtjes së SHBA-ve për vitin 2026, dhe po në këtë dokument, theksohet si shtet kyç për sigurinë evropiane, stabiliteti i të cilës lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike amerikane, derisa SHBA edhe zyrtarisht dhe me ligj të nënshkruar, ofron garanci për mosndryshim të kufijve, dhe Ligji në fjalë riafirmon se zgjidhja përfundimtare Kosovë-Serbi duhet të bazohet në njohje reciproke, duke kundërshtuar çdo ide për ndarje territoriale, shkëmbime ose rishikim kufijsh mbi baza etnike, edhe Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i jashtëm i Republikës së Kosovës z. Glauk Konjufca, duhet t’i qëndrojë 100% këtij parimi, ngase e ka shumë më të lehtë edhe bartjen e barrës së përfaqësimit të Kosovës në dialog, duke ditur paraprakisht qëndrimin e fortë amerikan dhe kahen e dialogimit, që tanimë edhe sipas ligjit amerikan të mbrojtjes, parasheh përmbylljen e bisedimeve me njohje reciproke Kosovë-Serbi”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, analisti përmendi edhe çështjen e Asociacionit, e që për të cilën i kërkoi Konjufcës që të ndjekë politikën e Kurtit dhe të mos lëshohet asnjë asociacionin me kompentenca siç i kërkon shteti serb.
“Shto kësaj faktin se edhe kryeministri Albin Kurti, në mandatin paraprak, ka arritur që emërtimin “asociacion” ta mënjanoi nga terminologjia e të dialoguarit me BE-në dhe në dokumentet zyrtare të dialogimit, e ka zëvendësuar atë me “vetmenaxhim të komunave”, dhe që atëherë z. Kurti është shprehur edhe zyrtarisht para emisarëve evropian të dialogut, se pakicës serbe do ti ofrojë një “Këshill Nacional” dhe ato të drejta që sipas principit u ofron edhe Kroacia minoritarve serb, besojmë fort se edhe Glauk Konjufca nga pozita e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm të Republikës së Kosovës, i bindur se mbështetja e Shteteve të Bashkuara është dhe mbetet vendimtare për mbijetesën dhe sigurinë e shtetit të Kosovës, nuk do të ndryshojë asgjë në këto pikëpamje të aspektit diplomatik, do të vazhdoj politikën e njëjtë e mbajë këtë rrugëtim parimor, dhe nuk do të lëshohet në opsionet për asociacione me kompetencat që i kërkon Serbia, por do të mbështetet te ligji i mbrojtjes së SHBA-ve, për mosndryshimin e kufijve dhe njohjen reciproke Kosovë-Serbi”, nënvizoi Qarri.
Më tej, ai ka pritshmëri që Konjufca të jetë shumë më aktiv dhe krahas presidentes Osmani,të shfaq një qasje më të fortë edhe në politikën e jashtme.
Mirëpo, ritheksoi që duhet të ketë qëndrim parimor në dialogun me Serbinë, në mënyrë që të mos preket integriteti territorial i Kosovës.
“Prandaj, duke qenë se pas një viti ngërçesh e bllokadash të inskenuara politike, tanimë u formua Qeveria Kurti 3, si dhe u konstituuan të gjitha institucionet legjitime të shtetit të Kosovës, ndërsa në mandatin e Qeverisë Kurti 3, Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Jashtëm u emërua z.Glauk Konjufca, derisa tanimë edhe SHBA-të, janë futur në një fazë të re të përfshirjes së drejtpërdrejtë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, me të drejtë pritet që z. Konjufca të jetë shumë më aktiv në krahasim me paraardhësen e tij dhe krahas Presidentes dr. Vjosa Osmani të shfaq një qasje më të fortë edhe në politikën e jashtme, duke mbajtur qëndrim parimor edhe në dialog dhe mos pranuar në asnjë mënyrë as rrethanë, që çfarëdo marrëveshje me Serbinë, të prek integritetin territorial të vendit tonë, të ndryshojë rregullimin e brendshëm shtetëror dhe të cenojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës”.
Në vazhdim, Qarri foli edhe për procesin e dialogut, bashkëpunimin me SHBA, si dhe synimet për anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare dhe atë se si duhet të veprojë ministri i ri.
“Konjufca , veçanërisht pas miratimit të ligjit të shtetit amerikan, i cili kërkon që bisedimet me Serbinë të përmbyllen me njohje reciproke, do ta ketë shumë më të lehtë ta “menaxhojë” edhe presionin e mundshëm të BE-së, lidhur me kërkesat dhe pritshmëritë e dialogut me Serbinë, pasi që tanimë e ka bazamentin më të fort të mundshëm, nga SHBA, të cilin si një figurë e respektuar politike edhe nga opozita, duhet të dijë ta shfrytëzoj për baraspeshë politike, duke u dhënë përparësi, sa më të theksuar interesave kombëtare, para kërkesave të BE-së, në mënyrë që bisedimet me Serbinë, të përmbyllen me njohjen reciproke, të krijohet stabilitet i plotë e afatgjatë dhe Kosova të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshi edhe OKB-në, nëse pas nismave të presidentit Donald Trumpit, ajo vazhdon të mbetet e tillë dhe në formatin që kishte si organizatë mbarëbotërore, deri më tani”.
Krejt në fund, analisti shtoi se, Konjufca edhe pritet të bashkëpunojë edhe me opozitën, ku në këtë mënyrë do krijohet një unitet politik në Kosovë, përballë sfidave dhe dialogut me Serbinë.
“Kështu që, duke pasur parasysh se z.Konjufca është një figurë e respektuar edhe në planin e brendshëm dhe mban marrëdhënie miqësore edhe me partitë opozitare, në momentet vendimtare, për një çështje kaq jetike, si dialogu me Serbinë, ai do të bisedojë edhe me opozitën dhe do të përpiqet të ndërtojë një qëndrim unik të krejt partive shqiptare, në mënyrë që për vendimet definitive, përballë BE-së dhe Serbisë, të gjitha partitë të dalin me konsensus të përbashkët të përfaqësuesve politik të Republikës së Kosovës, në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, sipas parimit të ligjit të miratuar të SHBA-ve, për njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve, pa ndarje territoriale e ndryshim kufijsh ndërmjet të dy vendeve, akt që do të ndihmonte edhe në realizimin sa më të shpejt të synimeve të Republikës së Kosovës, për njohje të reja, anëtarësim në NATO, integrim evropian dhe pranimin si shtet i pavarur e me të drejta të plota në OKB”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.
