Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka zhvilluar takim me drekë pune me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Takimi i cili u mbajt në Pallatin Elize, sipas Zyrës së Kurtit u theksua roli pozitiv i NATO-s në Kosovë, konkretisht i KFOR-it dhe i misioneve të Bashkimit Evropian.
“Kryeministri Kurti foli për sigurinë e Kosovës që para së gjithash është siguri e kufijve të saj, pastaj për ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse që po bëhet, raportet me fqinjin verior Serbinë ndërlidhur me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, pastaj për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kurtit.
Ndërsa, mbledhjen e mbajtur të hënën, kryeministri Albin Kurti, e filloi me njoftimin e kabinetit për takimin me presidentin francez.
Kurti ka thënë se takimi zgjati rreth dy orë dhe se me shefin e shtetit francez patën bisedë të thellë e të sinqertë, të përqendruar në tema të bashkëpunimit e integrimit, të sigurisë e të mbrojtjes.
“Pasditen e së premtes isha mysafir i presidentit të Francës në një takim dhe një drekë pune në pallatin Elysee. Pritja e përzemërt u përcoll me një diskutim të thellë e të sinqertë rreth dy orë që u përqendrua në tema të bashkëpunimit e të integrimit, të sigurisë e të mbrojtjes, si dhe të ekonomisë e zhvillimit”, tha Kurti para kabinetit të tij.Shefi i Qeverisë, gjithashtu tha se me presidentin Macron biseduan për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE e në organizata të tjera ndërkombëtare.
“Pastaj për rolin e rëndësishëm e të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për bashkëveprimin me aleatët veriatlantik dhe për sigurinë rajonale në Ballkan”, ka thënë Kurti.
Tutje kryeqeveritari, në mbledhje të ekzekutivit ka shtuar se në këtë takim rreth dyorësh me presidentin e Francës, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe raportet me fqinjin verior ishin çështje të cilat në kontekst të sigurisë së vendit i diskutuan bashkë.
Pesha e takimit Kurti- Macron
Analisti Gani Qarri, në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se, në kohët e trazuara përveç bashkëpunimit në fushat ekonomike e kulturore, takimi me presidentin Macron dhe të gjitha llojet e mundshme janë të rëndësishme.
“Sipas informatave për opinion kryeministri Albin Kurti gjatë njoftimit të kabinetit qeverisës lidhur me takimin që ai ka realizuar me presidentin francez, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee në Paris, tha se kanë diskutuar për tri shtylla kryesore që preokupojnë aktualisht vendin tonë, si: anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian (BE) e organizatat tjera të rëndësishme ndërkombëtare, rolin e NATO-s në sigurinë e vendit tonë, si dhe nevojën e Republikës së Kosovës për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së dhe menaxhimin adekuat të marrëdhënieve me fqinjin agresiv verior- Serbinë hegjemoniste. Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe dërgimin e trupave të FSK-së, në kuadër të Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare në Gazë, për të kontribuuar në ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës, në kuadër të Misionit të Paqes të thirrur në jetë nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe sipas informacioneve aktuale, angazhimi praktik pritet të nisë në muaji maj, ku Kosova planifikon dërgimin e ushtarëve për kryerjen e operacioneve speciale, si deminimi dhe eliminimi i mjeteve të pashpërthyera (EOD), si dhe të ekipeve mjekësore”.
“Prandaj në kohët e trazuara që po kalojmë, përveç bashkëpunimit në fushat ekonomike e kulturore, takimi me presidentin Macron dhe të gjitha llojet e mundshme të kontakteve me miq e partnerë ndërkombëtar, që kanë përvojë në misione të tilla e të ngjashme paqësore gjithandej botës, janë me shumë rëndësi për grumbullimin e përvojës e marrjen e këshillave të nevojshme, në mënyrë që të bëhet një parapërgatitje sa më e mirë, për një fillim të mbarë dhe angazhimin efektiv në aktivitete paqeruajtëse të Kosovës në botë, sado që FSK, paraprakisht ishte me mision edhe në Kuvajt, por misioni në Gaza, ndryshon shumë dhe është tejet më i ndjeshëm e problematik”, deklaron Qarri.
Ai thekson se, është hera e parë që një kryeministër i Kosovës diskuton zyrtarisht me personalitetet më të larta të shtetit francez si presidenti Macron edhe për rëndësinë e qëndrimit dhe vazhdimin e pranisë së trupave të NATO-s.

Gani Qarri
“Akt që e kthen Kosovën nga një vend konsumues, në një shtet kontribuues, që ka për qëllim ardhjen në ndihmë popullsisë vendëse, ruajtjen e paqes në Lindjen e afërt dhe kryerjen e misionit paqësor në këtë pjesë të trazuar të botës, ne koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar, për të cilin kryeministri Kurti duhet ta ketë marrë edhe pëlqimin e presidentit Macron që dëshmon se Kosova tanimë është bërë partnere e besueshme për vendet e NATO-s dhe shtetet më të mëdha evropiane, e gatshme të kontribuojë krah miqve dhe aleatëve më të ngushtë e real, në mbështetje të paqes e të sigurisë ndërkombëtare, me të cilin bëhet faktorizimi i shtetit të Kosovës, si dhe ngritet edhe më lartë profili ndërkombëtar i shtetit tonë të ri në botë”.
“Me pjesëmarrjen në misionet paqësore afirmohet edhe profesionalizmi praktik i Ushtrisë tonë, synimi i të cilës është anëtarësimi sa më i shpejt i Kosovës në NATO, ku pjesë e rëndësishme dhe me peshë të madhe vendimmarrëse janë edhe fuqitë evropiane, ndaj zyrtarët e ministrisë së mbrojtjes, kanë filluar përgatitjen e dislokimit të ushtarëve të FSK-s dhe në koordinim me strukturat e FNS-së, kanë caktuar edhe oficerin ndërlidhës për Misionin e Paqes. Në takimin e 27 marsit të kryeministrit Kurti, pasditen e të premtes së kaluar në pallatin Elysee në Paris me presidentin e Francës Manuel Macron, kreu i Qeverisë ka biseduar edhe për tema tjera të rëndësishme si integrimi evropian i Kosovës, atë të sigurisë e të mbrojtjes së vendit tonë, përfshi organizimin e forumeve të reja të biznesit Kosovë-Francë si vijimësi e forumit që u mbajt muajin e kaluar në Prishtinë, si dhe për planet e investimit në edukim dhe mbështetjen franceze në organizmin e Lojërave Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Kosovë. Takimi thuhet se u përqendrua edhe në tema të bashkëpunimit ekonomik, e kulturor, perspektivën e integrimit të Kosovës në BE, çështjet e sigurisë e të mbrojtjes, si dhe ndërmarrjen e masave për përshpejtimin e hapave në rrugëtimin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare. Është me rëndësi të theksohet se përveç bashkëpunimit ekonomik e kulturore, pothuajse për herë të parë, nga një kryeministër i Kosovës, diskutohet zyrtarisht me personalitetet më të larta të shtetit francez si presidenti Macron, edhe për rendësin e qëndrimit dhe vazhdimin e pranisë së trupave të NATO-së në Kosovë, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të ushtrisë së Kosovës dhe raportet me fqinjin verior në kontekst të sigurisë së vendit tonë, për garantimin e sigurisë në Kosovë, në bashkëveprim me aleatët veriatlantik, si dhe ruajtjen e përbashkët të paqes së brishtë në hapësirat e ndjeshme të mbar rajonit të Ballkanit perëndimor”, pohon analisti.
Takimi Kurti- Macron, sipas Qarrit, është shumë i rëndësishëm edhe për faktin e një situate të brishtë aktuale.
“Prandaj duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë dhe të vazhdueshme të rolit të NATO-së, në Kosovë e rajon, takimi i kryeministrit Kurti me presidentin francez Manuel Macron, i cili vije prej njërit nga vendet më të mëdha dhe domethënëse të BE-së, pikërisht në këto momente të zhvillimeve të rrezikshme të gjeopolitikës botërore, ku përveç luftës Rusi Ukrainë, lufta ndërmjet SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit, e ka bërë gjendjen edhe më serioze dhe të paparashikueshëm përfundimin e shpejt e paqësor të saj, andaj takim i kryeministrit Kurti me presidentin Macron ishte shumë i rëndësishëm për vendin tonë, edhe për faktin se në situatën e brishtë aktuale, me tu kthyer të Kurtit nga Parisi Qeveria miratoi menjëherë propozimin për dërgimin e ushtarëve të FSK-së në Misionin e paqes në Gazë, si pjesë e vitalizimit të trupave të saj dhe vazhdimësi e procesit të shndërrimit të FSK-së në ushtri të plotë, proces që është paraparë të përfundojë në vitin 2028 dhe i cili pritet të dëshmojë përgatitjen e mjaftueshme fizike e pajisjen me aftësi të nevojshme ushtarake, si dhe përmbush planet e njohurive të duhura strategjike për tu inkorporuar edhe Kosova në Aleancën Veriatlantike dhe FSK, të plotësojë kushtet e parapara për tu bërë pjesë aktive e forcave të NATO-s, për çka kërkohet edhe pajtimi i vendeve anëtare dhe shteteve më të mëdha të BE-së, si Franca, Gjermania, Italia etj., ndaj dhe udhëheqësit e shtetit tonë, duhet mbajtur kontakt të përhershëm dhe biseduar në vijimësi me to”, përfundon Qarri.
Takimi Kurti- Macron, e kishte ‘nervozuar’ presidentin serb, Aleksandër Vuçiqin, i cili madje spekuloi për temën e diskutimit.
Një ditë para takimit, Vuçiq deklaroi se kryeministri Kurti mund t’i kërkojë liderit francez plotësimin e ca kushteve “kundër popullit serb”.
Sipas Vuçiqit, Kurti ka shkuar në Paris me “dy kërkesa” dhe ato janë që Serbisë t’i vendoset kusht për të mos përdorur kurrë armë kundër shqiptarëve, përkatësisht kundër Kosovës, dhe që NATO-ja të largohet nga zona tokësore e sigurisë, në mënyrë që Forca e Sigurisë së Kosovës të mund të shkojë në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.
Vuçiq pretendoi se “agjendën e Kurtit në Paris” e kishte mësuar përmes “njerëzve tanë në rrethin e Kurtit”.
Mes tjerash, Vuçiq ka thënë se shpreson që NATO-ja “nuk do t’i mbështesë këto kërkesa dhe am i sigurt që as Macron nuk do t’i mbështesë”.
Nevoja për hapa konkret
Ndërsa, analisti dhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Eduard Gashi, duke folur rreth takimit konsideron se duhen njoftime për hapa të rinj në procesin e integrimit evropian.
Sipas tij, Kosova vazhdon të jetë më shumë temë menaxhimi dhe vizita hyn në kuadër të një politike të balancuar ndaj rajonit.

Eduard Gashi
“Takimi mes Albin Kurti dhe Emmanuel Macron në Pallati Elysee duhet parë me një dozë realizmi politik dhe jo përmes deklaratave të përgjithshme që zakonisht shoqërojnë këto vizita.
Në thelb, fakti që një takim zgjat dy orë nuk përkthehet automatikisht në peshë strategjike. Ajo që mungon janë rezultatet konkrete: nuk ka njoftime për hapa të rinj në procesin e integrimit evropian, as ndonjë zhvillim të prekshëm në raport me dialogun Kosovë–Serbi. Kjo tregon se Kosova vazhdon të jetë më shumë temë menaxhimi sesa prioritet aktiv për fuqitë kryesore të BE-së.
Nga ana e Emmanuel Macron, kjo vizitë hyn në kuadër të një politike të balancuar ndaj rajonit. Franca kërkon stabilitet dhe parashikueshmëri – dy elemente që shpesh kanë munguar në qasjen e qeverisë aktuale të Kosovës. Për Parisin, çështja kryesore mbetet avancimi i marrëveshjeve ekzistuese dhe shmangia e tensioneve të reja”, deklaron Gashi.
Tutje, Gashi në prononcimin e tij dhënë “Bota sot” kërkoi veprime konkrete në terren, pasi sipas tij, dinamika gjeopolitike e kërkon.
“Ndërkohë, qasja e Albin Kurti vazhdon të karakterizohet nga një retorikë e fortë politike, por me kapacitet të kufizuar për kompromis praktik. Kjo krijon një hendek midis pritshmërive të partnerëve ndërkombëtarë dhe veprimeve konkrete në terren. Në një kohë kur dinamika gjeopolitike kërkon koordinim të lartë dhe fleksibilitet diplomatik, kjo është një dobësi evidente.
Rëndësia e takimit, në këtë kontekst, është më shumë indikative sesa transformuese. Ai konfirmon që Kosova mbetet në radar, por nuk sinjalizon ndonjë ndryshim të rëndësishëm në raportet me BE-në apo në proceset integruese. Për më tepër, ai nënvizon një realitet të njohur: pa një qasje më pragmatike dhe më të orientuar drejt rezultateve, takime të tilla rrezikojnë të mbeten pjesë e një cikli diplomatik pa ndikim real në terren”, shprehet analisti.
