Shëndetësi

Asnjëherë mos e zgjidhni turnin e natës për të punuar, ‘rrezik për zemrën’

Punonjësit që punojnë natën, janë në vijën e parë të rrezikut për sulm në zemër dhe goditje në tru, paralajmëron një studim i fundit i paraqitur në Konferencën e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë. Ky studim, i kryer nga Universiteti i Lisbonës, ngre një shqetësim të thellë mbi ndikimin e orareve të punës që përplasen me orën biologjike të njeriut, një problem që mund të kushtojë jetë.

Rreziku rritet me çdo orë ‘jetlag’ social

Në qendër të këtij studimi është fenomeni i ashtuquajtur ‘jetlag social’, pra mospërputhja mes orës natyrore biologjike dhe detyrimeve të përditshme sociale, siç janë oraret e punës. Sipas Dr. Sara Gamboa Madeira, drejtuesja e studimit, çdo orë mospërputhje e orarit të punës me orën e brendshme të trupit rrit me 31% rrezikun për sëmundje kardiovaskulare.

Sa më shumë që puna shkon kundër ritmit natyror të trupit, aq më i madh është dëmtimi për zemrën dhe trurin,”, thekson Dr. Gamboa Madeira.

Një kërcënim i heshtur për punonjësit e natës dhe të turneve

Studimi analizoi 301 punonjës magazinash që punonin vetëm në mëngjes, pasdite apo natë. Rezultatet ishin alarmante, 20% e pjesëmarrësve rezultuan me rrezik të lartë për probleme të zemrës. Mungesa e gjumit ishte gjithashtu një faktor kritik, 40% flinin më pak se 6 orë gjatë ditëve të punës.

Shumë prej tyre, përveçse përballeshin me orare jo natyrale, kishin edhe faktorë të tjerë rreziku si duhanpirja, kolesteroli i lartë dhe mungesa e aktivitetit fizik, duke e bërë kombinimin edhe më të rrezikshëm për shëndetin.

Orari i punës duhet të përputhet me orën biologjike

Sipas studimit, jo të gjithë njerëzit funksionojnë njësoj. Disa janë “njerëz të mëngjesit”, ndërsa të tjerë janë ata të natës. Kur puna vendoset në kundërshtim me këtë kronotip, trupi përjeton një stres konstant, që me kalimin e kohës dëmton sistemin kardiovaskular.

Nevojitet që punëdhënësit të marrin parasysh orën biologjike të punonjësve gjatë planifikimit të turneve,”, apelon Dr. Madeira.

Çfarë nënkupton kjo për punonjësit dhe punëdhënësit?

Ky studim përbën një thirrje për ndërhyrje urgjente, veçanërisht për sektorët që funksionojnë me turne si shëndetësia, transporti, siguria dhe prodhimi. Monitorimi i shëndetit të zemrës duhet të jetë më rigoroz për këta punëtorë, ndërkohë që duhet të rishikohen politikat e punës për të shmangur pasojat afatgjata. Syri.net-iefimerida

Të Ngjashme