Shëndetësi

Aspirina trajton dhimbjet e kancerit si…

Një aspirinë mund të jetë po aq efikase sa qetësuesit e fuqishëm opioidë për njerëzit që vuajnë nga kanceri, thotë një studim i ri. Droga që shkaktojnë varësi, si morfina, shpesh përshkruhen për të ndihmuar në luftimin e dhimbjes së vazhdueshme që shumë pacientë me kancer përjetojnë si rezultat i tumoreve të tyre. Por hulumtimet e reja kanë zbuluar se ka pak prova për të mbështetur përdorimin e këtyre ilaçeve qetësuese për trajtimin e sëmundjes.

Shkencëtarët tani besojnë se medikamentet më të dobëta dhe jo-adiktive – duke përfshirë aspirinën – mund të jenë po aq efikase për të ndihmuar për shmangien e këtyre simptomave duke shkaktuar gjithashtu më pak efekte anësore. Ata gjithashtu arritën në përfundimin se opioidet e forta në fakt mund të ndikojnë negativisht në aftësinë e trupit për të luftuar kancerin.

Hulumtimi, i kryer nga shkencëtarët në Universitetin e Warwick-ut dhe Universitetin e Sidneit, vjen ndërsa sistemet shëndetësore vazhdojnë të luftojë varësinë ndaj opioideve. Në katër vitet e fundit, recetat e përshkruara për këto barna janë përgjysmuar në Angli – por kjo shtytje ka qenë kryesisht për dhimbjet që nuk lidhen me kancerin.

Studiuesit ekzaminuan të dhënat nga më shumë se 150 prova klinike të përdorimit të opioideve për të trajtuar simptomat e kancerit dhe zbuluan se provat për të mbështetur përdorimin e qetësuesve të fortë kundër dhimbjeve ishin të dobëta, me “shumë pak” prova që krahasonin efektin e tyre kundër ilaçeve placebo.

Provat që ishin në dispozicion sugjerojnë se ilaçet më të dobëta, duke përfshirë ilaçet kundër depresionit, aspirinën dhe opioidet me forcë të ulët, përfshirë kodeinën, ishin po aq efikase në reduktimin e dhimbjeve të lidhura me kancerin sa edhe opioidet e fuqishme si morfina – të cilat disa studime sugjerojnë se dëmtojnë sistemin imunitar.

Por studimi arriti në përfundimin se pacientët që nuk ishin në gjendje të ulnin dhimbjen e tyre me qetësues standardë, përfitonin nga një dozë e vogël e opioidit sintetik fentanil – por vetëm kur ilaçi përdorej me masë.

Studiuesit vunë në dukje gjithashtu se fentanili shoqërohej me një numër të konsiderueshëm efektesh anësore.

“Opioidet janë të domosdoshëm për dhimbjet në fund të jetës”, thotë profesoresha Jane Ballantyne, një eksperte e mjekësisë kundër dhimbjeve nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Uashingtonit. “Por ia vlen të theksohet se jo-opioidet janë çuditërisht efikase për disa dhimbje kanceri dhe mund të shmangin çështjet e varësisë.” / Daily Mail – Syri/net