Lajme

Atentati me 4 viktima në Shkodër/ Del fotoja e mjetit të autorëve, policia zbulon detajin që mund t’i çojë drejt zbardhjes së krimit

Ky është automjeti i përdorur në atentatin në Shkodër, ku u vranë me armë zjarri 2 persona dhe humbën jetën dhe dy kalimtarë të rastit pasi u aksidentuan me motor gjatë kohës që ndodhi krimi.

Gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se makina tip “Range Rover” me targa AB 445 MC rezulton e vjedhur në Durrës më 17 Prill të këtij viti. Sipas burimeve, makina është vjedhur në lagjen 12 dhe ka qenë pronari në atë kohë që bëri denoncim në policinë e Durrësit.

Kjo e dhënë është përftuar nga grupi hetimor pas krahasimit që i është bërë numrit të shasisë, në automjetin që u dogj në fshatin Golem. Zbulimi i mjetit të autorëve, mund të ndihmojë në zbardhjen e itinerarit që kanë përshkruar autorët dhe ndoshta dhe në identifikimin e tyre.

Arlind Bushati dhe Hamza Lici u vranë nga atentati me armë zjarri, teksa Flutura Basha ndërroi jetë në vend për shkak të përplasjes. Bashkëshorti i saj Bashkim Basha ndodhej në intubim deri ditën e djeshme, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra.

(BalkanWeb)