
1
YouTube do të përfshihet në ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç në Australi, pasi qeveria hoqi përjashtimin e mëparshëm për platformën e shpërndarjes së videove. Ky ndalim, i pari në botë në këtë formë, do të hyjë në fuqi në dhjetor dhe synon të kufizojë aksesin në TikTok, Instagram, Facebook, X (ish-Twitter), Snapchat dhe tani edhe YouTube.
Fëmijët do të jenë ende në gjendje të shikojnë video në YouTube, por nuk do të lejohen të kenë llogari – e nevojshme për të ngarkuar përmbajtje ose për të ndërvepruar me platformën.
YouTube, në pronësi të Google, kishte argumentuar se nuk duhet të ndalohej për fëmijët pasi ofron “vlera dhe përfitime për të rinjtë australianë”. Kompania këmbënguli se “nuk është rrjet social”, por një mjet edukativ e argëtues.
Megjithatë, Komisionerja për Sigurinë Elektronike në Australi, Julie Inman Grant, muajin e kaluar rekomandoi përfshirjen e YouTube në listë, duke theksuar se ishte platforma më e raportuar për përmbajtje të dëmshme te fëmijët e moshës 10 deri në 15 vjeç, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv
Kryeministri Anthony Albanese deklaroi të mërkurën se “rrjetet sociale po dëmtojnë fëmijët tanë” dhe theksoi se “ky nuk është zgjidhja e vetme, por do të bëjë ndryshim”.
Ministrja e Komunikimeve, Anika Wells, theksoi se algoritmet grabitqare që synojnë fëmijët nuk kanë vend në internet. Ajo krahasoi përpjekjet për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet e internetit me “të mësuarit për të notuar në oqean të hapur mes rrymave dhe peshkaqenëve, përkundër pishinës së komunës”.
Wells shtoi se ndalimi nuk do të përfshijë aplikacione për mesazhe, lojëra online, edukim apo shëndetësi, pasi konsiderohen me më pak rrezik për fëmijët.
Kompanitë që nuk respektojnë ndalimin do të përballen me gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë (rreth 32.5 milionë dollarë amerikanë). Ato do të detyrohen të çaktivizojnë llogaritë ekzistuese për moshat nën 16 vjeç, të ndalojnë regjistrimet e reja dhe të bllokojnë çdo përpjekje për të anashkaluar rregullat.
Ndërkohë, disa media raportuan se Google kishte kërcënuar me padi qeverinë nëse YouTube do të përfshihej në ndalim, duke pretenduar se kufizon lirinë politike.
Ligji i ri është duke u ndjekur me interes nga vende të tjera, përfshirë Norvegjinë, që ka njoftuar një ndalim të ngjashëm, dhe Britaninë e Madhe, që po shqyrton mundësinë për të ndjekur të njëjtin shembull.