Lajme

Autori i maskuar si korrier picash/ Prapaskenat e tritolit në banesën e mësuesit në Shkodër, lidhja me vëllain në Gjermani

Detaje të tjera janë zbardhur nga hetimet për shpërthimin me lëndë plasëse që tronditi mbrëmjen e 12 shtatorit qendrën e Shkodrës. Tritoli u hodh në oborrin e një banese që ndodhet pranë Bashkisë së qytetit, ndërsa nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar.

Objektivi i ngjarjes dhe motivet mbeten ende nën hetim. Banesa ku ndodhi shpërthimi është në pronësi të familjes Bushati, ndërsa në katin e parë jeton mësuesi Mehdin Bushati së bashku me bashkëshorten e tij.

Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, hetuesit dyshojnë se personi që vendosi lëndën plasëse ka vepruar i vetëm. Ai raportohet se ka mbërritur me motor, me skafandër në kokë për të fshehur identitetin, ndërsa mjeti ishte përshtatur në mënyrë që të ngjante me atë të një korrieri që shpërndan pica.

Sipas dinamikës paraprake të ngritur nga grupi hetimor, personi është afruar pranë ndërtesës, ka hedhur lëndën plasëse në oborr dhe më pas është larguar me shpejtësi. Deri tani ai nuk është identifikuar, ndërsa policia po analizon pamjet e kamerave në zonë për të rindërtuar itinerarin e tij.

Mehdin Bushati dhe bashkëshortja ndodheshin brenda banesës në momentin e shpërthimit. Fatmirësisht, të dy shpëtuan pa lëndime, ndërsa u regjistruan vetëm dëme materiale. Mësuesi u ka deklaruar autoriteteve se nuk ka dijeni për shkaqet që mund të kenë çuar në sulm. Sipas burimeve, hetuesit pretendojnë se ai nuk ka dhënë shumë informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e motivit.

Një nga pistat që po verifikohet lidhet me vëllain e tij, Gëzim Bushati, i njohur gjithashtu me emrin Naser Bushati. Ai jeton prej vitesh në Gjermani dhe, sipas të dhënave të deritanishme, vizita e tij e fundit në Shqipëri ka qenë rreth dy ose tre vite më parë. Kati i dytë i ndërtesës ku u hodh tritoli raportohet se i përket atij.

Burime pranë hetimit pretendojnë gjithashtu se Gëzim, alias Naser Bushati, ka pasur më herët probleme me drejtësinë dhe ka vuajtur dënime me burg në Rumani dhe Gjermani, njëri prej pesë vitesh dhe një tjetër prej dy vitesh.

Pikërisht e kaluara dhe aktiviteti i tij jashtë Shqipërisë janë pjesë e verifikimeve që po kryhen. Një nga dyshimet e policisë është se shpërthimi mund të ketë pasur karakter kërcënues dhe mesazhi mund të ketë qenë i drejtuar ndaj tij. Megjithatë, kjo mbetet vetëm një pistë hetimore dhe deri tani nuk është përcaktuar zyrtarisht motivi.

Hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që personi që hodhi eksplozivin të ketë vepruar kundrejt pagesës. Mënyra e afrimit, maskimi dhe largimi i menjëhershëm pas hedhjes së lëndës plasëse janë elemente që po analizohen nga policia.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 21:30 dhe, për shkak të fuqisë së tij, u dëgjua jo vetëm në qendër, por edhe në zona të tjera të Shkodrës. Ngjarja shkaktoi frikë te banorët dhe turistët që ndodheshin në atë pjesë të qytetit.

Situata ishte edhe më shqetësuese pasi vetëm pak metra larg, në sheshin përpara Bashkisë së Shkodrës, në atë moment po zhvilloheshin aktivitete me muzikë dhe lojëra, ku ishin të pranishëm familje dhe fëmijë.

Policia e Shkodrës po vijon hetimet për identifikimin e autorit, përcaktimin e personit që mund të ketë qenë objektivi i sulmit dhe zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes.

Të Ngjashme