Lajme

Autori mbante veshur dorëza, përpara grabitjes i drejtoi armën rojës private, si ndodhi vjedhja në bankën e nivelit të dytë në Tiranë

Punonjësit në njërën nga bankat e nivelit të dytë në Tiranë e nisën javën duke u përballur me një grabitës të maskuar, i cili dyshohet se rrëmbeu një shumë të paverifikuar parash.

Sulmi i grabitësit, i veshur me të zeza, teksa mbante në kokë një skafandër dhe një çantë supi, ndodhi në orën 10:45 të së hënës. Pas vizitës së armatosur, por ende të paprovuar nëse ishte pistoletë lodër apo e vërtetë, holli i bankës u kthye në vendngjarje dhe po ashtu edhe ambienti përreth u mbajt i bllokuar për disa orë nga shërbimet e policisë.

Grabitësi, nga dinamika e kamerave të brendshme, sapo hyri në bankë, ia drejtoi armën rojës private, i cili u dorëzua menjëherë dhe hyri në holl. Pas këtij veprimi, me shpejtësi grabitësi është drejtuar për nga arka.

Grupi i hetimit ka dy dëshmitarë të rëndësishëm, arkëtaren dhe rojën private, dëshmitë e të cilëve u administruan.

Burimet i thanë TCH se autori mbante veshur doreza dhe kjo e ka bërë të vështirë që gjatë këqyrjeve të zbulohen gjurmë papilare, përmes të cilave ai mund të identifikohet. Sidoqoftë, për hetuesit, kamerat e bankës dhe dëshmitë që u morën në bankë janë të dhëna të rëndësishme.

Krahas këtij grupi, një grup tjetër po kërkon kamera në rrugë, me shpresën se do të zbulojë autorin, i cili largohet nga skena e krimit me një skuter elektrik.

Policia tha se nuk disponon të dhëna se sa është vlera monetare e vjedhur këtë të hënë në rrugën Komuna e Parisit./Top Channel

Të Ngjashme