Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian ka miratuar të martën konkluzionet lidhur me procesin e zgjerimit të bllokut evropian.
Në pjesën që i kushtohet Kosovës, vendit i bëhet thirrje që të përshpejtojë reformat në rrugën drejt integrimit evropian.
Ndër kërkesat kryesore theksohet nevoja për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndonëse ka aplikuar për këtë status në dhjetor të vitit 2022. Sipas raportit me konkluza, të siguruar më herët nga Radio Evropa e Lirë më 16 dhjetor, nevoja për reforma vërehet më së shumti në forcimin e administratës publike dhe në sundimin e ligjit, përfshirë konsolidimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e lirive themelore, veçanërisht lirinë e shprehjes, fushë në të cilën nuk është shënuar përparim.
Në të njëjtin dokument thuhet se Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër krimit të organizuar. Vendi po ashtu lavdërohet për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në shkurt dhe më pas për zgjedhjet lokale të zhvilluara gjatë vitit, duke u vlerësuar pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve në këto procese. Duke marrë parasysh transferimin e rregullt të pushtetit në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Këshilli përsërit pritjen për heqjen e të gjitha masave ndëshkuese që kanë mbetur në fuqi.
Nevoja e progresit në dialog
Politologu Ramadan Gjanaj, flet rreth këtyre konkluzioneve, duke treguar edhe pritshmëritë e BE-së.
Sipas tij, mesazh i BE-së nuk është teknik apo procedural, por edhe politik.

Politologu Ramadan Gjanaj
“ Konkluzionet e Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian lidhur me procesin e zgjerimit përbëjnë një thirrje të qartë për përshpejtimin e reformave në vendet e rajonit, përfshirë Kosovën. Në pjesën që i kushtohet Kosovës, theksi vihet në nevojën për reforma substanciale, për avancim konkret në dialogun me Serbinë dhe për zbatimin e obligimeve të marra, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Këto konkluzione tregojnë se, pavarësisht disa përparimeve të pjesshme, Bashkimi Evropian pret rezultate të matshme dhe të qëndrueshme. Mesazhi i BE-së nuk është vetëm teknik apo procedural, por edhe politik: rruga drejt integrimit evropian kalon përmes aftësisë së Kosovës për të demonstruar seriozitet, vazhdimësi dhe përgjegjësi në zbatimin e reformave dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare. Në këtë kontekst, konkluzionet duhet parë edhe si një vlerësim i kredibilitetit të Kosovës si shtet. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht për një vend që nuk është në pozitë force dhe që varet nga mbështetja e partnerëve perëndimorë, respektimi i obligimeve të pranuara është vendimtar. Bashkimi Evropian nuk gjykon vetëm deklaratat politike, por mbi të gjitha aftësinë e institucioneve për të zbatuar në praktikë marrëveshjet dhe kriteret politike e ekonomike që kërkon procesi i integrimit”, deklaron Gjanaj.
Sipas tij, zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë është një nga elementët më vendimtarë.
Nuk ka të bëjë me asociacionin në strukturë, thotë Gjanaj, por për parimin themelor të besueshmërisë shtetërore.
“Zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë është një nga elementët më vendimtarë për rrugën evropiane të Kosovës. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Asociacionin si strukturë, por për parimin themelor të besueshmërisë shtetërore. Një shtet që aspiron integrimin evropian nuk mund të zgjedhë në mënyrë selektive cilat marrëveshje i zbaton dhe cilat jo, pa e dëmtuar seriozisht pozicionin e vet ndërkombëtar. Është për të ardhur keq që, pas kaq vitesh dialog, Kosova ende nuk ka arritur të krijojë një kornizë të qartë dhe funksionale për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Moszbatimi i Asociacionit, pa paraqitur një alternativë të besueshme dhe të pranueshme për partnerët ndërkombëtarë, e ka lënë Kosovën pa iniciativë dhe në një pozicion mbrojtës. Nëse kjo qasje vazhdon, ekziston rreziku real që partnerët perëndimorë ta humbasin durimin dhe të kalojnë nga roli i ndërmjetësit në atë të imponuesit të zgjidhjeve. Një model i bazuar kryesisht në Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit të vitit 2023 mund të imponohet, duke e kufizuar ndjeshëm hapësirën e Kosovës për të ndikuar në përmbajtjen dhe formën e zgjidhjes finale”, shprehet politologu.
Përparimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe organizimit të zgjedhjeve gjithëpërfshirëse, sipas Gjanajt, janë zhvillime pozitive dhe të domosdoshme.
“Përparimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe organizimi i zgjedhjeve gjithëpërfshirëse janë zhvillime pozitive dhe të domosdoshme, por ato nuk janë të mjaftueshme për të ndryshuar thelbësisht pozicionin e Kosovës në raport me Bashkimin Evropian. BE-ja e sheh procesin e integrimit si një paketë tërësore reformash që përfshin sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve, respektimin e të drejtave të pakicave dhe aftësinë për të menaxhuar marrëdhënie të ndërlikuara politike në mënyrë të përgjegjshme. Zgjedhjet e rregullta dhe aksionet kundër krimit janë bazë, jo kulm i procesit. Pa progres të dukshëm në dialogun me Serbinë dhe pa zbatim të obligimeve ndërkombëtare, edhe sukseset në fusha të caktuara rrezikojnë të perceptohen nga BE-ja si të fragmentuara dhe të pamjaftueshme për të justifikuar hapa të rinj konkretë drejt integrimit”, shton Gjanaj.
Asociacion në përputhje me kushtetutën dhe parakushtet e BE-së
Ndërsa, analisti Eduard Gashi konsideron se konkluzionet e Këshillit të BE-së, pasqyrojnë një qasje të dyfishtë ndaj Kosovës.

Eduard Gashi
“Mesazhi kryesor është i qartë: Kosova nuk shihet më vetëm përmes prizmit të stabilitetit, por gjithnjë e më shumë përmes kapacitetit të saj për të zbatuar marrëveshje dhe për të prodhuar reforma funksionale. Thirrja për “përshpejtim të reformave” tregon se BE-ja e percepton ritmin aktual si të pamjaftueshëm krahasuar me pritjet dhe potencialin institucional të vendit.
Në thelb, këto konkluzione nuk janë ndëshkuese, por kushtëzuese: përparimi i mëtejmë nuk do të vijë automatikisht, por vetëm përmes rezultateve të matshme”, deklaron Gashi.
Sipas tij, për BE-në dialogu Kosovë- Serbi nuk është vetëm çështje bilaterale, por test aftësie.
Ai thekson se BE nuk kërkon thjesht krijimin formal të asociacionit, por zbatim në përputhje me kushtetutën e Kosovës, pa kometenca ekzekutive që do të cenonin funksionalitetin e shtetit.
“Zbatimi i marrëveshjeve me Serbia, dhe në veçanti formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është element kyç dhe praktikisht i pashmangshëm për avancimin e procesit integrues.
Për Bashkimi Evropian, dialogu Kosovë–Serbi nuk është vetëm çështje bilaterale, por test i aftësisë së Kosovës për të menaxhuar pluralizmin, sundimin e ligjit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Moszbatimi i marrëveshjeve interpretohet si:
• mungesë e besueshmërisë ndërkombëtare,
• rrezik për stabilitet rajonal,
• dhe dobësi institucionale në përmbushjen e obligimeve.
Megjithatë, BE-ja nuk kërkon thjesht krijimin formal të Asociacionit, por zbatim në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, pa kompetenca ekzekutive që do të cenonin funksionalitetin e shtetit. Pra, dilema nuk është nëse, por si dhe në çfarë forme”, pohon analisti.
Përparimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe organizimi i zgjedhjeve gjithëpërfshirëse janë parakushte themelore, thotë Gashi.
Sipas tij, BE këto i sheh si standard minimal, jo si arritje përfundimtare.
“Përparimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe organizimi i zgjedhjeve gjithëpërfshirëse janë parakushte themelore, por jo të mjaftueshme për të ndryshuar ndjeshëm pozicionin e Kosovës ndaj BE-së.
BE-ja i sheh këto si standard minimal, jo si arritje përfundimtare. Ajo që pritet më tej është:
• konsolidim i shtetit ligjor (gjyqësor i pavarur dhe efikas),
• luftë e qëndrueshme kundër korrupsionit të nivelit të lartë,
• reforma funksionale në administratë dhe ekonomi,
• dhe stabilitet institucional afatgjatë.
Zgjedhjet e mira janë provë e demokracisë procedurale, por integrimi evropian kërkon demokraci funksionale– ku institucionet prodhojnë politika efektive dhe të parashikueshme”, thekson analisti.
Në përfundim, ai shton se nëse Kosova arrin të kombinojë zbatim të marrëveshjeve, reforma reale dhe stabilitet institucional, atëherë konkluzionet e ardhshme të BE-së mund të kalojnë nga “thirrje” në vendime konkrete integruese.
“Pozicioni i Kosovës në raport me BE-në sot mund të përmblidhet kështu:
• Ka besim të kushtëzuar, por jo avancim automatik.
• Dialogu me Serbinë është nyja kryesore politike.
• Reformat e brendshme janë po aq të rëndësishme sa politika e jashtme.
• BE-ja pret rezultate konkrete, jo vetëm vullnet politik.
Nëse Kosova arrin të kombinojë zbatim të marrëveshjeve, reforma reale dhe stabilitet institucional, atëherë konkluzionet e ardhshme të BE-së mund të kalojnë nga “thirrje” në vendime konkrete integruese”, përfundon Gashi.


