Kuriozitete

Avionët elektrikë, taxi në qytete/ Nis gara për revolucionin e transportit në qendrat e banuara

Nëse jeni të lodhur nga trafiku, duket se ardhmja rezervon një zgjidhje për këtë problem. Disa kompani po hyjnë në garë për të revolucionarizuar transportin brenda distancave të shkutra. Edhe pse do të duhen edhe shumë vite, fluturimet me avion elektrikë brenda qytetit do të jenë të realizueshme.

Udhëtimet me taksi në një të ardhme të afërt mund të realizohen me avionë elektrikë. Prodhuesit e avionëve thonë se do të revolucionarizojnë udhëtimin e përditshëm për pasagjerët duke ofruar fluturime të përshtatshme, të shpejta dhe të qëndrueshme brenda qyteteve dhe mes tyre.

Disa prej kompanive të prodhimit të këtyre avionëve shfaqën konceptet e tyre në panairin ndërkombëtar “Farnborough 2024”.

Supernal, një kompani e mbështetur nga gjigandi global i makinave Hyundai Motor Group, thotë se automjeti i saj më i ri elektrik i pasagjerëve do të revolucionarizojë udhëtimin ajror në të ardhmen.

Ky aeroplan do të jetë në gjendje t’i transportojë më shpejt pasagjerët brenda qyteteve dhe mes tyre, duke fluturuar mbi radhët e gjata të trafikut rrugor.

“Qëllimi i tij është të ndryshojë mënyrën e lëvizjes së njerëzve. Është një aeroplan tërësisht elektrik, që me një karikim mund të përshkojë një distancë prej rreth 96 kilometrash, duke fluturuar me një shpejtësi prej 193 kilometrash në orë, dhe mund të transportojë njerëz në distanca të shkurtra, duke shmangur trafikun e ngjeshur urban”, thotë David McBride, shef i teknologjisë në kompaninë Supernal.

Automjeti plotësisht elektrik do të ketë helika që mundësojnë ngritje dhe ulje vertikale pa pasur nevojë për pista.

Kompania gjithashtu synon që fluturimet më vonë të automatizohen.

Ndonëse për disa ekspertë ky koncept mund të duket larg realitetit, shefi i kompanisë Supernal thotë se partneriteti me kompaninë Hyundai Motor Group do të lejojë prodhimin e këtyre automjeve flutarake në një shkallë industriale masive.

Kompania gjermane Lilium është gjithashtu në garë për prodhimin në shkallë të gjerë të avionit të saj elektrik EV-TOL. Avioni i saj tërësisht elektrik mund të ngrihet dhe ulet vertikalisht, por në vend të rotorëve përdor ventilatorë me motorë të fuqishëm për lëvizjen në ajër.

“Kostoja e operimit të këtij avioni është aq e ulët sa që ne mund të ofrojmë bileta me çmime prej më pak se 2 dollarë për kilometër”, thotë Klaus Roewe, shef i kompanisë Lilium.

Por, përdorimi i këtyre automjeteve duhet fillimisht të miratohet nga zyrtarët e qyteteve, të cilët duhet të përcaktojnë zona nga ku këta avionë elektrik mund të ngrihen dhe ulen në mënyrë të sigurt.