Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi në cilësinë e dëshmitarit po intervistohet nga hetuesit policor lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë.
Azemi i cili kur hyri në Drejtorin e Hetimeve në Policinë e Kosovës mbante me vete një dosje të madhe, tha se para hetuesisë po paraqet të dhënat e cituara nga ai dhe qytetarët e Kosovës.
Azemi para gazetarëve deklaroi se skandali i njehsorëve elektrikë po tenton të manipulohet nga KEDS dhe nga Ministria e Tregtisë, Industrisë.
“Po e jap dëshminë deklaratën time si dëshmitarë, po i paraqes të gjitha të dhënat dhe duke besuar në Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe gjykatën e Kosovës shpresoj që kjo do të merr një zgjidhje të merituar. Unë edhe njëherë po iu kujtoj juve që të gjitha këto manipulime dhe gjithë ky skandal i madh që ka filluar me njehsorët elektrikë po mundohet me u minimizua edhe nga ana e KEDS dhe nga ana e qeverisë në këtë rast nga ministri e Industrisë. Ku po thonë që këto devijime që i kanë pranuar dhe i kanë tërhequr disa njehsor elektrikë nga qytetarët e masin saktë sasinë, por nuk po tregojnë se ku është problemi. Pra, problemi është që energjia elektrike e cila është dashur me u faturua me të lirën sipas vendimit të ZRrE është faturua me tarifën e shtrenjtë Qytetarët kanë prit me orë të tëra për me i vendos në funksion pajisjet e tyre, ty mendua që po e shfrytëzojnë energjinë me të lirë qysh edhe iu ka mundësua nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, po në fakt ka dalë e kundërta. Kjo është dëshmia kryesore dhe ky është skandali kryesor në të cilin unë po punoj”, deklaroi Azemi.
Azemi paralajmëroi se gjatë kësaj jave do të nis nënshkrimin e peticionit nga qytetarët e Kosovës për të kompensuar mjetet e tyre.
Ai kërkon nga KEDS që asnjë njehsor elektrik të mos largohet pa praninë e Policisë së Kosovës, në të kundërtën sipas tij është vepër penale.
“po kërkoj që mos të lejohen intervenimet që të hiqen provat nga qytetarët e Kosovës sepse këto janë vepër penale. Uroj që ky proces të shkoj mirë dhe qytetarët të kompensohen në fund… Nuk kam informacione, mu më kanë ftua në cilësinë e dëshmitarit. Tani meqë prokuroria ka fillua dhe ka autorizua policinë për me u marrë me këtë hetim, është lajm i mirë siç e thashë dhe po e bëj punën time aq sa mundem dhe aq sa më takon. Ta keni të qartë një gjë, unë këtë javë, sa më shpejt, do të filloj me organizimin e një peticioni në të gjithë Republikën e Kosovës për të kërkua kthimin e parave të cilat iu kanë marrë qytetarëve padrejtësisht. Pra, shumë shpejt nëpër qendrat e qyteteve të ndryshme do të fillojmë me peticionin në këto qytete”, tha ai.
Dëshmi për problemet me njehsorët elektrikë Azemi i ka dorëzuar edhe në Zyren e Rregullatorit për Energji(ZRRE) dhe KEDS.
Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës nga 884 njehsorë të verifikuar sipas tyre, 87% e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike faturojnë qytetarët më shtrenjtë edhe kur tarifa është me të lirën.
