Nga dita e sotme qytetarët e Shqipërisë me pasaporta të rregullta mund të udhëtojnë pa viza drejt Azerbajxhanit.
Lajmin e bëri të ditur ambasadori i Azerbajxhanit në vendin tonë, Anar Huseynov në një postim në rrjetin social X, ku shkruante se “nga sot, edhe qytetarët e Shqipërisë me pasaporta të rregullta mund të udhëtojnë drejt Azerbajxhanit pa vizë”.
Marrëveshja për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Azerbajxhanit, u nënshkrua më 1 mars 2024 në praninë e kryeministrit Edi Rama nga Besart Kadia, zëvendësministri i kohës për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Fariz Rzayev, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Azerbajxhanit.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në kuadër të vizitës që Kryeministri Edi Rama zhvilloi në Azerbajxhan në fillim të muajit mars të këtij viti, në krye të një delegacioni të nivelit të lartë ku zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme duke hapur mundësi të reja për turizëm, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim mes dy vendeve.
/tiranapost