Shëndetësi

Baballarët e rinj duhet të kontrollohen për shëndetin mendor

Baballarët e rinj duhet të testohen për shëndetin e tyre mendor, sugjeron një studim i ri. Sipas studimit, mirëqenia mendore e babait luan një rol “kyç” në zhvillimin e fëmijës.

Tani, ekspertët thonë se kontrolli i hershëm për “vështirësi mendore” dhe ndërhyrja janë thelbësore për të mbështetur mirëqenien e baballarëve të rinj dhe të fëmijëve të tyre.

Një rishikim i kërkimeve të mëparshme, i botuar në JAMA Pediatrics, zbuloi se depresioni, ankthi dhe stresi i atit në periudhën përreth lindjes lidhen me zhvillim më të dobët të fëmijëve në aftësitë sociale, emocionale, njohëse dhe gjuhësore.

Autori kryesor i studimit, profesori Craig Garfield nga Fakulteti i Mjekësisë të  Feinbergut i Universitetit Northwestern në Çikago, tha: “Lindja e një fëmije mund të jetë jashtëzakonisht stresuese për të dy prindërit.

“Në SHBA, nënat e reja kontrollohen rregullisht për depresion pas lindjes që nga viti 2010. Na duhet të zbatojmë të njëjtën strategji edhe për baballarët e rinj, pasi gjithnjë e më shumë studime si kjo tregojnë se shëndeti mendor i babait ndikon në zhvillimin e fëmijës dhe mirëqenien e të gjithë familjes.”

Rreth një në shtatë baballarë në Shtetet e Bashkuara (14%) përjetojnë depresion pas lindjes, një përqindje e ngjashme me atë të nënave. Por ekspertët thonë se burrat priren ta “minimizojnë” shqetësimin e tyre mendor, prandaj kjo përqindje mund të jetë më e lartë nga sa mendohet.

Garfield tha: “Si profesionistë të kujdesit shëndetësor, duhet të rimendojmë qasjen tonë ndaj baballarëve të rinj. Duhet t’i përfshijmë ata gjatë gjithë shtatzënisë dhe periudhës perinatale dhe t’i ndihmojmë të normalizojnë ndjenjat e trishtimit, frikës apo ankthit që janë të zakonshme gjatë këtij ndryshimi të madh jetësor. Mjekët duhet të diskutojnë me baballarët shenjat paralajmëruese të depresionit për t’i ndihmuar ata të njohin momentin kur cilido prej prindërve mund të ketë nevojë për ndihmë.”

Për të kuptuar më mirë përvojat dhe nevojat e burrave ndërsa bëhen baballarë, Garfield ndihmoi në zhvillimin dhe nisjen e një mjeti të ri për matjen e shëndetit publik, të quajtur PRAMS (Sistemi i Monitorimit të Vlerësimit të Rrezikut në Shtatzëni) për Baballarët.

Nisur fillimisht në shtetin e Xhorxhias, PRAMS për Baballarët do të jetë funksional në tetë shtete deri në fund të vitit 2025, ndërkohë që po punohet për ta shtrirë edhe në shtete të tjera.

Garfield tha: “PRAMS për Baballarët na ndihmon të përqendrojmë burimet shtetërore për të adresuar çështjet më të ngutshme që prekin baballarët e rinj. Ai gjithashtu na ndihmon të kuptojmë më mirë ndikimin që kanë baballarët në shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve, në mënyrë që t’i mbështesim më mirë për të ndjekur sjellje të shëndetshme.”

Gjetjet nga kërkimi i mëparshëm i dr. Garfield, duke përdorur të dhëna nga PRAMS për Baballarët, treguan se baballarët mund të kenë një ndikim të “jashtëzakonshëm” nëse një foshnjë ushqehet me gji dhe nëse vendoset për të fjetur në mënyrë të sigurt. / Talker News – Syri.net

Të Ngjashme