Lajme

​Bajrami: BQK konfirmon inflacionin 6.7 për qind – çmimet po rriten shumë e ekonomia pak

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se Raporti Vjetor i Banka Qendrore e Republikës së Kosovës për vitin 2025 dëshmon se ekonomia e vendit po rritet me ritëm të ngadaltë, ndërsa inflacioni dhe varësia nga importi po vazhdojnë të thellohen.

Përmes një postimi, Bajrami tha se sipas raportit, ekonomia e Kosovës është rritur me 3.6 për qind gjatë vitit 2025, ndërsa inflacioni ka arritur në 3.9 për qind, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

Ajo e cilësoi edhe më shqetësues parashikimin e BQK-së për vitin 2026, sipas të cilit rritja ekonomike pritet të ngadalësohet në 3.5 për qind, ndërsa inflacioni të arrijë në 6.7 për qind.

“Me fjalë të tjera, ekonomia pritet të rritet më ngadalë, ndërsa çmimet shumë më shpejt. Kësaj i shtohet fakti se Kosova po importon shumë dhe po eksporton shumë pak”, shkroi Bajrami.

Sipas saj, gjatë vitit 2025 importi i mallrave ka arritur në rreth 7 miliardë euro, ndërsa eksporti vetëm 869 milionë euro, duke bërë që vendi të importojë rreth tetë herë më shumë sesa eksporton.

Bajrami theksoi se deficiti tregtar ka arritur në rreth 6.1 miliardë euro, me rritje prej 12.5 për qind krahasuar me vitin paraprak, ndërsa eksporti ka shënuar rënie prej 0.2 për qind dhe importi është rritur për 10.6 për qind.

Ajo shtoi se, sipas raportit të BQK-së, çmimi i energjisë elektrike është rritur për 11.5 për qind, duke ndikuar në rritjen e kostove për bizneset dhe çmimeve për konsumatorët.

Në fund, deputetja e LDK-së vlerësoi se Kosovës i nevojitet një politikë ekonomike e orientuar drejt prodhimit vendor, rritjes së eksporteve, uljes së kostos së energjisë për bizneset dhe krijimit të vendeve të reja të punës, duke paralajmëruar se ekonomia nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse mbështetet kryesisht në import, konsum dhe remitenca.

Të Ngjashme