Lajme

Bajrami kërkon përballje televizive me ministrin Murati: Ndikimi i inflacionit në tre vjet të qeverisë ka qenë 1.6 miliardë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka prezantuar shifrat e inflacionit në Kosovë.

Ajo është shprehur se ndikimi i inflacionit në tri vjet të qeverisë Kurti ka qenë 1.6 miliardë.

Bajrami, akuzoi ministrin e Financave, Hekuran Murati se po mundohet që të manipulojë me çështjen e shifrave të inflacionit.

Sipas ish-ministres së Financave, nuk i ka dy ditë që ministri Murati e bëri një postim për inflacionin 0.2%, dhe pyeti analistët prezent në studio se a kanë parë ndonjëherë postim të Muratit në muajin e gjashtë kur inflacioni ka qenë 14.1%, apo në muajin e shtatë të 2022-s kur inflacioni ka qenë 14.2%.

“Këto të dhëna janë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ai i merr prej krejt muajve dhe e zgjedh një muaj kur inflacioni është 0.2% dhe flet për të. Nuk flitet ashtu. Unë jam ajo që po flas me statistika, po flas me të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Murati po e merr një muaj ku e ka inflacionin 0.2%, por ai po harron që kjo ngritje e çmimeve që ka ndodhur më 2021 (3.4%), ngritja e çmimeve më 2022 (11.6%), 2023 (4.9%), që në akumulativ bëjnë 22%”.