Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar projektligjin për çmimet tavan gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, duke shprehur dyshime për efektivitetin e tij.
Ajo theksoi se edhe në sektorë të tjerë ku ekzistojnë rregullatorë, çmimet kanë shënuar rritje, duke përmendur energjinë, ujin dhe barnat.
“A e dini se çfarë ka ndodhur në sektorin e energjisë elektrike gjatë mandatit të LVV-së? Edhe pse kemi zyrë të rregullatorit të çmimit, tri herë është bërë ngritja e çmimit. Do të thotë kemi rregullator, por kemi lejuar rritje të çmimeve”, deklaroi Bajrami.
Ajo shtoi se situata është e njëjtë edhe në sektorë të tjerë.
“Çfarë ka ndodhur me tarifat e ujit? Edhe aty kemi rregullator të çmimeve, por tarifat janë rritur për 40%. Ka pasur rregullim edhe në sektorin e barnave, por na jepni evidencë që ka ulje të çmimeve, sepse kjo nuk po vërehet”, u shpreh ajo.
Bajrami paralajmëroi se rritja e çmimeve mbetet shqetësuese dhe se trendi pritet të vazhdojë.
“Ngritja e çmimeve është alarmante. Inflacioni i marsit nuk është ndikuar aq shumë nga çmimi i naftës, ndërsa në prill pritet që çmimet të jenë edhe më të larta”, tha ajo.
Në fund, deputetja e LDK-së shprehu frikën se projektligji për çmimet tavan nuk do të ketë ndikim real.
“Ne kemi frikë që ligji, bordi dhe e gjithë kjo është një farsë, sepse nuk do të keni mundësi të ndikoni në çmime”, përfundoi Bajrami.
