Lajme

Ballkani Perëndimor në pritje të vendimit të KE për fondet e reformave

Më 30 qershor ka skaduar afati i periudhës së katërt raportuese për përmbushjen e reformave në kuadër të Planit të Rritjes.

Ndërkohë, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë afat deri më 15 korrik që t`i dorëzojnë Komisionit Evropian raportet për zbatimin e reformave.

Zyrtarët e Komisionit Evropian bëjnë të ditur se, pas këtij afati, Komisioni do të vlerësojë përmbushjen e obligimeve dhe më pas do të vendosë për pagesat përkatëse për secilin vend.

Pagesat, siç theksohet, do të kryhen vetëm pasi të konstatohet se reformat e parashikuara në agjendat reformuese të vendeve janë zbatuar plotësisht.

“Ajo që është vërtet e rëndësishme të theksohet është se ne i inkurajojmë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë instrument, sepse ai u mundëson të përfitojnë fonde dhe t’i përdorin ato në potencialin e tyre të plotë. Prandaj, i nxisim fuqishëm ta bëjnë këtë dhe mbetemi në dispozicion për t’i mbështetur secilin prej tyre gjatë këtij procesi”, tha Guillaume Mercier, zëdhënës i Komisionit Evropian.

Në rastin e Kosovës, 30 qershori shënoi përfundimin e afatit për përmbushjen e 13 hapave reformues, me një vlerë të përgjithshme prej afro 91 milionë eurosh.

Po ashtu, 30 qershori 2026 shënoi edhe fundin e të ashtuquajturës periudhë gri për zbatimin e hapave reformues që fillimisht duhej të përmbusheshin në mesin e vitit të kaluar, kur vendi ndodhej në krizë institucionale.

Sipas rregullores së Planit të Rritjes, në rastet kur hapat reformues nuk përmbushen brenda periudhës gri dhe afati i tyre skadon, fondet e parapara për to mund të rishpërndahen te përfituesit e tjerë./RTK

Të Ngjashme