Lajme

Ballkani Perëndimor reagon pas fitores së shpallur nga Trumpi

Liderët politikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë reaguar ndaj shpalljes së fitores nga republikani Donald Trump, në garën presidenciale në SHBA kundër demokrates Kamala Harris.

Edhe pse fitorja e Trumpit nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, ai i është afruar fitores në zgjedhje, pasi ka siguruar 267 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur president.

Trumpin e ka uruar për fitoren e pretenduar kryemninistri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjithashtu falënderoi presidentin aktual të SHBA-së, Joe Biden, për bashëkpunimin.

“Ishte një nder i vërtetë të punoja krah për krah me presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen mes dy vendeve tona. Pres me kënaqësi privilegjin e madh për të punuar me presidentin e 47-të për të thelluar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe progres të mëtejshëm”, shkroi Rama në X.

Dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, ka planifikuar investime të mëdha për pasuri të paluajtshme në Shqipëri dhe në Serbi. Në Shqipëri, ai synon ta shndërrojë ishullin më të madh të Shqipërisë, Sazan, në një destinacion luksoz për turistët dhe të ndërtojë disa hotele dhe qindra vila në Zvërnec, një zonë bregdetare në Vlorë, në jug të Shqipërisë.

Në administratën e kaluar të Trumpit, Kushner kishte rolin e këshilltarit të lartë të presidentit.

Trumpin e ka uruar për fitoren e pretenduar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, përmes një shkrimi në Facebook.

“Ne shpresojmë që të thellojmë më tej partneritetin dhe bashkëpunimin tonë të fortë, veçanërisht në fushat e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe reformën demokratike”, shkroi Mickoski.

Edhe kreu i partisë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka uruar Trumpin dhe ka theksuar rëndëinë e zgjidhjes së “çështjeve të hapura në Evropën juglindore” përmes mbështetjes nga administrata amerikane.

Ndërkohë, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se SHBA-ja dhe Mali i Zi janë partnere të palëkundura dhe se janë të angazhuara për përmirësimin e demokracisë, sigurisë, stabilitetit dhe lirisë.

“Si aleatë në NATO, mezi presim bashkëpunim të ngushtë me administratën tuaj për të forcimin e miqësisë sonë dhe thellimin e bashkëpunimit”, tha Millatoviq në X.

I lumtur me fitoren e pretenduar të Trumpit u shpreh kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, i cili tha se “më e mira ende nuk ka ardhur për dy vendet tona”.

“Jam i emocionuar nga fakti që 61 për qind e amerikanëve besojnë se ditët më të mira të SHBA-së ende nuk kanë ardhur. Ky është sekreti i suksesit të këtij vendi dhe arsyeja pse ai do të fitojë në çdo rrethanë”, tha Spajiq.

Kryetari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Beqiroviq, gjithashtu dërgoi një mesazh urimi për Trumpin duke thënë se kjo “do të jetë një mundësi për të forcuar miqësinë dhe partneritetin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bosnje dhe Hercegovinës”.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është me rëndësi të madhe për ruajtjen e stabilitetit dhe vazhdimin e proceseve demokratike që do të mundësojnë integrimin e suksesshëm të Bosnjë dhe Hercegovinës në një anëtarësi të plotë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, shtoi ai.

Fitoren e Trumpit e mirëpriti edhe presidenti prorus i Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili është në listën e zezë të SHBA-së.

Ai u është drejtuar qytetarëve para pallatit të Republikës Sërpska në Banja Llukë, duke thënë se “kjo është fitore e Amerikës në të cilën ne besojmë, e Amerikës që është për paqen”.

Këtyre urimeve u është bashkuar edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, i cili shtoi se “mezi pres bashkëpunimin tonë dhe përparimin e mëtejshëm në marrëdhëniet kroato-amerikane”.

Trumpin e kanë uruar edhe liderët politikë të Kosovës dhe Serbisë, të cilët kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim mes pasigurive se si mund të ndikojë administrata e re e SHBA-së në zgjidhjen e e mosmarrëveshjeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “pres me padurim të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike”.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “Serbia është e angazhuar të punojë me SHBA-në për stabilitet, rritje dhe paqe”./REL