Banorët e zonës ku është rrënuar një shtëpi në rrugën “A” në Prishtinë, kanë thënë se nuk janë konsultuar nga Komuna e Prishtinës lidhur me vendimin për rrënimin e objektit, ndërsa kanë kundërshtuar pretendimin se toka është pronë komunale.
Fqinji dhe banori i lagjes, Fadil Krasniqi, ka thënë se banorët janë vendosur në këtë zonë që nga viti 2000 dhe se, sipas tij, Komuna nuk i ka njoftuar se shtëpitë janë ndërtuar në tokë komunale.
“E çfarë thotë qysh të kallëzova unë, çfarë flet poseduesja. E po komuna pse s’ka ardhë me na thënë “ju jeni tu maru shpinë në tokë të huj”? Kurrë s’na ka pru letër, na prej 2000 jemi. Po me ardhë sot, me ardhë me më thënë që kaq e ka çmimin toka. O po e blene na tokën, a na lironi venin. Pse dojm me liftuar me shtet tonin”, tha ai.
Krasniqi ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet se bëhet fjalë për pronë komunale, duke thënë se banorët kanë dokumente dhe se, sipas tij, toka është blerë nga pronarë të mëparshëm.
“S’janë pronë komunale. Mujt me gjetë një vendim komuna që asht pronë e komunës, në shfrytëzim e ka komuna. Na kena mundu me bo dallavere me shku në Serbi, e me na përkthy e me bo faqe të zeza, po s’jena shku na ato. Na veç që kena nxjerrë me ditë se këta na kanë mashtru, që na i kanë shitë. Qe komuna. Qyre banesat ku i ka maru. E shkojnë, e shkojnë e ta marrin pronarin që ia ka shitë tokën. Hajde siguroja atë banimin për shembull. Sjemi uzurpatir, ai që ka ble që pesëdhjetë vjet, s’e ka përkthy tokën”, tha ai.
Ai është ankuar se banorët nuk janë takuar me përfaqësues të Komunës para ndërhyrjes.
“Ne jena shku, as që na kanë dalë. U dashte me ardhë. Na njerëz jemi, na s’jemi kafshë me vra a me hangër, u dasht me ardhë. Kryetari se ka rrezuar. Mafia i ka rrëzu këto. Qai ai që i ka ardhë, e ka qit tokën n’emër të veti para një viti. Vetem Shpinë jo, tokën e ka qit n’emër të veti. Ai i ka shty, Shkoni kqyrni rrugën. Reka ka qenë, rruga ka qenë shumë përtej reke, e s’u shemb”, tha ai.
Shtëpia në rrugën “A” u rrënua për shkak të rrezikut të shembjes, që sipas autoriteteve komunale lidhej me punimet dhe ndërtimet në këtë zonë.
Rrënimi i objektit ishte planifikuar të kryhej të martën, por nuk ishte realizuar pasi pronari i shtëpisë, Faruk Maxhuni, nuk ishte larguar nga objekti. Ai dhe bashkëshortja e tij kishin kundërshtuar rrënimin, duke thënë se kishin njoftuar Policinë dhe Inspektoratin e Komunës së Prishtinës se ndërtimi i objekteve të reja në lagje po rrezikonte shtëpinë e tyre.
Në lidhje me këtë rast, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kishte deklaruar se shtëpia ishte ndërtuar pa leje dhe ndodhej në pronë komunale.
“Evakuimi i familjeve që banonin në këto objekte është bërë para 2 vitesh, për shkak të punimeve në “Rrugën A” dhe rrezikut të rrëshqitjes së dheut. Edhe pse këto objektet kanë qenë të ndërtuara pa leje në pronë komunale, Kryeqyteti ka paguar dhe vazhdon të paguaj shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara. Lusim personin në fjalë që të mos rrezikojë jetën e tij dhe të ekipeve tona duke hyrë në këtë zonë, e cila mbetet e rrezikshme për shkak të punimeve dhe është pronë komunale. Gjithashtu, pajtohem me personat publik që po prononcohen për këtë çështje duke thënë se “Prona është e shenjtë”. E tillë është edhe kjo pronë, pronë komunale, në pronësi të Komunës dhe si e tillë meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit!”, kishte thënë Rama.
