Lajme

Baraliu: Nuk pres ndonjë rezultat pozitiv nga takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë

Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, nuk pret ndonjë rezultat konkret as nga raundi i ri i takimeve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që do të zhvillohet më 24 tetor, për shkak siç ka thënë ‘qëndrimit ledhatues që ka bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe qëndrimit neglizhues të saj ndaj Kosovës’.

Ndonjë rezultat të rëndësishëm Baraliu nuk e pret edhe për shkak të politikës qeveritare dhe shtetërore të Serbisë, e cila sipas tij në vazhdimësi u shmanget takimeve për të blerë kohë.

“Unë mendoj që në këtë situatë kur bashkësia ndërkombëtare ka qëndrim ledhatues dhe të padrejtë e të njëanshëm në kuptimin pozitiv ndaj Serbisë dhe të njëanshëm e në kuptimin negativ, neglizhues, margjinalizues deri në nënçmim do të thoja ndaj Kosovës, nuk mund të pritet ndonjë rezultat i rëndësishëm dhe konkret por të shohim dhe të presim me 24. Duke njohur Serbinë dhe politikën e saj edhe qeveritare edhe përgjithësisht shtetërore, nuk na ushqen shumë shpresë ky takim për arsye se ata vazhdimisht eskivojnë, prolongojnë, u shmangen takimeve dhe blejnë kohë”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai vlerëson se aktualisht asnjë lider serb nuk ka guxim politik për ta njohur Kosovën e prandaj Serbia nuk pranon dhe nuk do të pranojë marrëveshje.

“Nuk ka kurajo politike dhe reale asnjë lider në Serbi tash për tash dhe unë mendoj edhe për një periudhë kohore më të gjatë, që do të pranojë ta njoh Kosovën. Ndërkaq Kosova ka po ashtu arsyet e veta që thjesht të mos pranojë diçka, për arsye se Kosova nuk po fiton asgjë”, ka shtuar Baraliu.

Ndryshe, të enjten më 24 tetor në Bruksel, do të zhvillohet raundi i ri i takimeve të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel të kryenegociatorëve, nën ndërmjetësimin e Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak.

Sipas këshilltarit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiut, fokusi i këtyre takimeve do të jetë rruga e zbatimit të Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt, Ohër, 18 mars 2023).

“Javën e ardhshme, më 24 tetor, do të mbahen takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel, në nivel të kryenegociatorit. Në tërësi, fokus i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të Ohrit. Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e angazhuar pozitivisht në proces”, ka thënë ai.