BBV

Barbano: Situata në veriun e Kosovës është stabile, ka nxitës të mundshëm për tensione

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano deklaron se situata e sigurisë në veriun evendit është e qetë dhe stabile, megjithatë konsideron që ka ende sfida dhe “nxitës të mundshëm për tensione”. Autoritetet vendore, ai thotë se duhet t’i adresojnë këto dhe të zgjidhen përmes dialogut. Në intervistën për KosovaPress, Barbano thotë se ani pse nuk ka më mandat ekzekutiv, roli i EULEX-it në rast të tensioneve është i reaguesit të dytë të sigurisë. Ai flet edhe për manipulimin me vota në zgjedhjet e fundit, sundimin e ligjit dhe nëse po arrin Kosova të luftojë korrupsionin.

Nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka ndryshuar udhëheqësia në komunat veriore. Atje udhëheq Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen nga Beogradi zyrtar. Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano tregon nëse mund të ketë ndikim kjo në situatën e sigurisë në veriun e Kosovës.

Barbano: Ka sfida dhe nxitës të mundshëm për tensione, duhet të adresohen nga institucionet

“Situata e sigurisë në Kosovë në periudhën e fundit mund të konsiderohet e qetë dhe stabile. Ne e shohim pozitivisht kthimin e kryetarëve serbë të Kosovës në detyrë pas zgjedhjeve lokale dhe hapjen e kanaleve të komunikimit mes tyre dhe Policisë së Kosovës. Sigurisht që ka ende sfida dhe nxitës të mundshëm për tensione, por përmes dialogut dhe mbështetjes së institucioneve evropiane, besojmë se ato mund të adresohen në mënyrë paqësore….Ka ende sfida që duhet adresuar, sidomos në integrimin e plotë të komuniteteve pakicë dhe garantimin e të drejtave të tyre brenda sistemit të Kosovës. Kjo kërkon rregullore, marrëveshje dhe diskutime që mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut”, deklaron Barbano.

Në rast të tensioneve dhe përshkallëzimit të situatës në veri, Barbano tregon se cili është roli i EULEX-it.

Barbano: Roli i EULEX është i reaguesit të dytë të sigurisë, mund të dislokohemi për ruajtjen e rendit publik

“Roli ynë është ai i reaguesit të dytë të sigurisë. Nëse, shpresojmë jo, ndodhin trazira serioze civile dhe Policia e Kosovës kërkon ndihmë, ne mund të dislokohemi për ruajtjen e rendit publik dhe kontrollin e turmave. Por kjo është masa e fundit; më parë përdorim mjete dialogu, ndërmjetësimi dhe negocimi”, shprehet ai.

Në anën tjetër, në gjithë Kosovën po vazhdon rinumërimi i votave për kandidatët për deputetë, pasi është vërtetuar që ka pasur manipulim të votave. Madje, të premten në Prizren është zhvilluar një aksion nga Prokuroria Themelore, ku janë ndaluar 109 persona.

Barbano thotë për KosovaPress se “është për të ardhur keq”, që ka pasur raste të tilla të keqpërdorimeve.

Barbano: Është për të ardhur keq që ka pasur keqpërdorime të votave

“Sa u përket zhvillimeve pas zgjedhjeve të fundit, nuk do të komentoja shumë në këtë fushë, pasi nuk është pjesë e mandatit tonë dhe ka institucione të tjera përgjegjëse. Megjithatë, një vërejtje e vetme është se është shumë pozitive që institucionet e Kosovës kanë qenë në gjendje t’i identifikojnë vetë mangësitë dhe t’i adresojnë ato. Kjo dëshmon se sistemi demokratik është i qëndrueshëm. Është për të ardhur keq që kjo ka ndodhur, por, siç e kam theksuar gjatë takimit tim me koordinatoren nacionale të Prokurorisë së Shtetit, znj. Laura Pula, fakti që është zbuluar dhe po trajtohet në nivelin e duhur është një zhvillim shumë pozitiv. Përgjegjësia për trajtimin e këtyre çështjeve u takon plotësisht autoriteteve të prokurorisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thotë ai.

Më 28 dhjetor janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme, për çka Barbano thotë se po ndjekin me vëmendje këto zhvillime dhe se presin formim sa më të shpejt të institucioneve.

Barbano: Presim konstituim të shpejt dhe pa pengesa të kuvendit

“Së pari, ne presim që konstituimi i kuvendit të bëhet shpejt dhe pa pengesa, në përputhje me udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e disa çështjeve, dhe që një qeveri funksionale të formohet sa më parë. Natyrisht, ekzistojnë disa sfida që lidhen me rinumërimin e votave, si dhe me afatet e shkurtra para zgjedhjes së presidentit. Prandaj, ne po i ndjekim me vëmendje këto zhvillime, pasi zgjidhja e tyre është thelbësore për ndërtimin e institucioneve dhe të kornizës ligjore për të ardhmen…….[Nga qeveria dhe institucionet e reja, përfshirë Kuvendin e ri] ne presim që pozitat drejtuese që për një kohë të gjatë janë mbajtur me ushtrues detyre të plotësohen me menaxherë të rregullt, në mënyrë që të sigurohet një vizion afatgjatë për projektet dhe nevojat në vazhdim”, thekson ndër tjera ai.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë nuk ka mandat ekzekutiv në Kosovë që nga viti 2018. Tani, Barbano thotë se qëllim kryesor kanë monitorimin e të gjithë zinxhirit të drejtësisë.

Zbatimi i ligjit në Kosovë, sipas tij, shpesh has në sfida për arsye siç i përmend ai “procedurale dhe ndërhyrjeve të papërshtatshme”. Këto sfida, Barbano thotë se janë cekur qartazi edhe në raportin e vitit të kaluar për monitorimin e drejtësisë.

Barbano: Zbatimi i ligjit sfidues për shkak të ndërhyrjeve të papërshtatshme

“Sistemi i drejtësisë në Kosovë mbështetet në një kornizë ligjore shumë të zhvilluar dhe të avancuar, të frymëzuar nga standardet më të larta në Evropë dhe në botë. Megjithatë, ekziston një dallim ndërmjet kornizës ligjore dhe zbatimit të saj, i cili herë pas here rezulton sfidues për arsye strukturore, procedurale, për shkak të ndërhyrjeve të papërshtatshme apo faktorëve të tjerë”, thotë ndër tjera Barbano.

Ndër tjera, Barbano në intervistën për KosovaPress, tregon nëse ka pasur rritje të rasteve që kërkojnë ndërhyrjen e EULEX-it.

Barbano: Kemi prani të njësive tona policore, kryesisht në veri të Kosovës

“Edhe pse nuk kemi më funksion ekzekutiv, veçanërisht në fushën e sigurisë, ne ende kemi rolin e reaguesit të dytë të sigurisë, i cili aktivizohet vetëm me kërkesë të shprehur nga Policia e Kosovës. Ky rol kërkon edhe aftësinë për të pasur vetëdije për situatën dhe për të identifikuar tensione të mundshme në terren. Për këtë arsye, kemi prani të njësive tona policore, kryesisht në veri, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës kur është e nevojshme, përmes patrullimeve vëzhguese. Ne trajnohemi vazhdimisht me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për të garantuar ndërveprueshmëri dhe bashkëpunim në raste nevoje. Gjatë zgjedhjeve lokale kemi dislokuar edhe njësinë rezervë policore, por fatmirësisht nuk pati nevojë për ndërhyrje, pasi zgjedhjet u zhvilluan qetë dhe pa incidente serioze”, shprehet ai.

Shefi i EULEX-it në Kosovë, po ashtu përmend edhe vonesat në gjykim në rastet e profilit të lartë.

Barbano: Gjatë monitorimit kemi identifikuar disa mangësi

“Gjatë këtij monitorimi kemi identifikuar disa mangësi, përfshirë kapacitetin për trajtimin e rasteve të profilit të lartë, kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, rigjykimet e shpeshta, trajtimin e korrupsionit, drejtësinë për të mitur dhe dhunën në familje. Po ashtu, kemi monitoruar kapacitetin e policisë për të garantuar llogaridhënie në raste të trajtimit të keq, si dhe mënyrën se si rregulloret për gjuhën e urrejtjes zbatohen dhe interpretohen në raport me lirinë e shprehjes”, deklaron Barbano. 

Të Ngjashme