
Bastisjet dhe arrestimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, po quhen si spektakël i radhës. Arrestimet e personave, nën dyshimet për pengim dhe ndërhyrje në drejtësi, vlerësohen se shpërfaqin ndërrimin e fokusit të Speciales.
Aksioni i së enjtes nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, që rezultoi me bastisje dhe arrestime, po quhet si spektakël.
Kjo pasi sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nuk ka prova për ndërhyrje në drejtësi, siç pretendon ZPS-ja.
“Mendojnë të krijojnë edhe spektakël për t’i marrë edhe disa të tjerë gjoja se po e pengojnë drejtësinë për shkak se ata prova të tjera nuk kanë pasur dhe mundohen që të nxjerrin prova, sepse njerëzve që edhe sot i kanë arrestuar edhe kohë më parë disa prej tyre ua patën konfiskuar edhe telefonat gjoja se po nxjerrin diçka prej telefonave të tyre. Domethënë krejt këto janë spektakël derisa nuk kanë fakte për t’i gjykuar të tjerët, mundohen që të krijojnë fakte që faktikisht në drejtësi nuk do të duhej të ishin fakte këto sepse edhe lufta jonë ka pasur çlirimin nga pushtuesi, por edhe pengimin e drejtësisë nuk është e vërtetë që e bëjnë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pengimin e drejtësisë e ka bërë vetë vazhdimisht Zyra e Prokurorit të Specializuar duke i kërcënuar e shantazhuar dëshmitarët e saj”, tha Faton Klinaku.
Trendi i arrestimeve të personave nën dyshimet për ndërhyrje në drejtësi, sipas avokatit, Xhevdet Smakiqi, ka ndërruar prioritetin e Gjykatës Speciale.
Nga Gjykata Speciale, ka një vendim dënuar për ndërhyrje në drejtësi, ndërsa në procedurë paraprake është një rast tjetër për pengim të administrimit të drejtësisë.