Një “fjalim i manipuluar” i Donald Trump, akuza për anshmëri
sistematike në raportim dhe dorëheqje në nivelet më të larta kanë përfshirë BBC-në në një nga krizat më të mëdha të viteve të fundit.
Gjithçka nisi më 9 nëntor, pasi një memo e brendshme e rrjedhur zbuloi se një dokumentar i transmetuar nga programi prestigjioz BBC Panorama kishte mashtruar shikuesit duke redaktuar në mënyrë të gabuar një fjalim të Trump-it të mbajtur përpara sulmit në Kapitol më 6 janar 2021.
Sipas dokumentit, dokumentari “Trump: A Second Chance?” i transmetuar në tetor të vitit të kaluar, kishte bashkuar dy pjesë të ndryshme të fjalimit, të ndara me rreth 50 minuta, në mënyrë që të dukej sikur Trump po i nxiste mbështetësit të sulmonin Kapitolin. Në versionin e montuar, ai dëgjohej duke thënë: “Do të ecim drejt Kapitolit… dhe do të luftojmë. Luftojmë si të çmendur.”
Në realitet, pjesa “fight like hell” i referohej zgjedhjeve dhe akuzave për korrupsion, jo dhunës.
Pas publikimit të skandalit nga The Daily Telegraph, drejtori i përgjithshëm i BBC-së Tim Davie dhe drejtoresha ekzekutive e BBC News, Deborah Turness, dhanë dorëheqjen. Davie pranoi se “BBC nuk është e përsosur” dhe theksoi nevojën për transparencë dhe llogaridhënie, ndërsa Turness deklaroi se BBC News “nuk është institucionalisht e anshme”.
Por memoja dhe reagimet pasuese kanë hapur plagë më të thella për institucionin britanik.
Në dekadën e fundit, BBC është akuzuar shpesh për anshmëri politike, për shmangie të temave të ndjeshme si raca, çështjet gjinore dhe emigracioni, si dhe për qasje liberale pro-metropolitane, veçanërisht gjatë mbulimit të Brexit-it.
Gjithashtu, BBC është kritikuar për qëndrime të buta ndaj familjes mbretërore, për anti-amerikanizëm, antisemitizëm dhe për raportime të diskutueshme mbi luftën në Gaza. Në fillim të këtij viti, rregullatori britanik Ofcom e cilësoi një nga dokumentarët e BBC-së si “shkelje serioze”, pasi narratori rezultoi të ishte djali i një zyrtari të Hamasit.
Reagimet kanë qenë të forta edhe nga Shtëpia e Bardhë. Sekretarja për shtyp Karoline Leavitt akuzoi BBC-në për “pabesi të qëllimshme” në mënyrën si portretizoi fjalimin e Trump-it. Ndërkohë, vetë Trump reagoi në rrjetin e tij Truth Social, duke shkruar:
“Drejtuesit kryesorë të BBC-së, përfshirë TIM DAVIE, po largohen sepse u kapën duke manipuluar fjalimin tim të përsosur të 6 janarit.”
Ai madje kërcënoi me padi ndaj rrjetit britanik, duke kërkuar të paktën 1 miliard dollarë dëmshpërblim, sipas CNN. BBC konfirmoi se po shqyrton një letër ligjore të dërguar nga ekipi i Trump-it.
Ndërkohë, debati për besueshmërinë e BBC-së është ndezur. Gazetarë të njohur të brendshëm kanë dalë në mbrojtje të institucionit, ndërsa kritikët e djathtë thonë se “BBC ka hedhur tutje paanshmërinë” dhe po imponon një “botëkuptim liberal progresist” në publik.
/tiranapost
