Lajme

BE-ja dërgon mesazh të qartë Tiranës, Vata: Integrimi i Shqipërisë kërkon reforma të thella

Prezantimi i draft-raportit për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian u shoqërua me debate të forta politike dhe mesazhe të qarta për Tiranën zyrtare.

Kreu i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, eurodeputeti gjerman David McAllister, theksoi se Shqipëria ka ende punë për të bërë përpara se të arrijë anëtarësimin:

“Ndërkohë që Shqipëria ka hapur negociatat, ne mbështesim ecurinë. Shqipëria duhet të punojë edhe më shumë teksa vendin hyn në fazë të rëndësishme. Procesi është strikt në bazë merite, për kriteret e Kopenhagenit.  Miratimi i legjislacionit nuk është i mjaftueshëm, duhen ndryshime konkrete dhe impementimi i tyre.  Protestat e dhunshme nuk janë të pranueshme në një shoqëri demokratike”, ka thënë McCallister.

Analisti Ilir Vata, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se gjatë diskutimeve në Parlamentin Evropian për Shqipërinë u evidentuan sfidat kryesore të demokracisë, ndarjes së pushteteve dhe zbatimit të reformës në drejtësi.

Ai ka theksuar se lufta kundër korrupsionit dhe ndëshkimi i zyrtarëve të korruptuar janë thelbësore për rikthimin e besimit të qytetarëve tek shteti dhe drejtësia.

“Bashkimi Evropian diskutoi së fundmi për Shqipërinë në kuadër të prezantimit të draft-raportit për progresin e vendit në rrugën drejt integrimit evropian. Në fokus të diskutimeve në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian ishte gjendja reale e demokracisë dhe e shtetit të së drejtës në Shqipëri, si dhe hapat konkretë që duhen ndërmarrë për të përmbushur standardet e anëtarësimit.

Eurodeputetët evidentuan një sërë problematikash që lidhen me funksionimin e demokracisë, ndarjen dhe balancimin e pushteteve, si dhe me zbatimin e reformës në drejtësi. Lufta kundër korrupsionit mbetet një nga sfidat kryesore, jo vetëm në aspektin e miratimit të ligjeve, por sidomos në drejtim të zbatimit të tyre dhe ndëshkimit të rasteve konkrete. Vënia para drejtësisë e zyrtarëve të korruptuar dhe forcimi i institucioneve të pavarura konsiderohen elementë thelbësorë për rikthimin e besimit të qytetarëve tek shteti dhe drejtësia”, ka thënë ai.

Image
Ilir Vata

Gjithashtu, Vata ka nënvizuar se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian kërkon reforma të thella, institucione funksionale dhe zbatim të qëndrueshëm të ligjit.

Ai ka përmendur se cilat mbetin sfidat kryesore për Shqipërinë.

“Një tjetër theks i rëndësishëm ishte përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet dhe acquis të Bashkimit Evropian. Procesi i integrimit nuk shihet vetëm si një objektiv politik, por si një proces transformues që kërkon reforma të thella, institucione funksionale dhe zbatim të qëndrueshëm të ligjit.

Në thelb, shqetësimet e Bashkimit Evropian janë të njëjtat shqetësime me të cilat përballet çdo ditë shoqëria shqiptare: forcimi i demokracisë, garantimi i shtetit të së drejtës dhe ndërtimi i një administrate dhe sistemi drejtësie të pakorruptuar e të pavarur. Përparimi në integrim do të varet nga aftësia e Shqipërisë për t’i adresuar këto sfida me vendosmëri dhe rezultate konkrete”, ka përfunduar Vata.

Të Ngjashme