1
Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur të zgjatë mandatin e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, edhe për dy vjet të tjera, deri më 29 shkurt 2028.
Sorensen ishte emëruar për herë të parë në këtë post në janar 2025 dhe që atëherë ka luajtur një rol kyç në përpjekjet për të rifilluar dhe avancuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, njofton Dukagjin.
“Përfaqësuesit e Posaçëm të BE-së (EUSR) janë figura të caktuara nga Këshilli i BE-së me propozim të Përfaqësuesit të Lartë, të cilët kanë për detyrë të promovojnë politikat dhe interesat e BE-së në rajone, vende ose çështje me rëndësi të veçantë. Në rastin e Sorensen, ai ka përqendruar punën e tij në mbështetjen e dialogut politik dhe në avancimin e reformave që kontribuojnë në stabilitetin dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Në të njëjtin vendim i është vazhduar mandati edhe Kajsa Ollongren, Përfaqësuese Speciale për të Drejtat e Njeriut, do të vazhdojë mandatin e saj për dy vjet, deri më 29 shkurt 2028. Ajo u emërua në qershor 2025.
Kujtojmë se aktualisht, Bashkimi Evropian ka gjithsej 11 Përfaqësues Specialë që mbështesin punën e Përfaqësueses së Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në promovimin e reformave, respektimin e të drejtave të njeriut dhe konsolidimin e sigurisë në rajone të ndryshme të botës.
