Procesi i integrimit evropian është një ndër prioritetet kryesore strategjike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për ta përshpejtuar këtë proces, Shqipëria e Edi Ramës vendosi të jetë “një zë” me Serbinë e Aleksandër Vuçiqit.
Në fund të muajit shkurt, Rama së bashku me Vuçiqin kanë shkruar një editorial të përbashkët për median gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ)”, ku kanë pranuar që Shqipëria dhe Serbia pranojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian edhe pa të drejta vetoje, pa komisionerë shtesë dhe pa prekur strukturat vendimmarrëse të unionit.
“Kjo mund të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët, duke forcuar njëkohësisht pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të BE- së pa e rënduar arkitekturën e vendimmarrjes së BE-së dhe pa ndryshuar ekuilibrin e saj institucional. Kjo do të thoshte as të drejta vetoje, as komisionerë shtesë, anëtarë të Parlamentit Evropian apo ndryshime në strukturat e votimit. Jemi të bindur se kjo do të lehtësonte shqetësimet e atyre shteteve anëtare që ngurrojnë të zgjerohen në një zgjerim më të madh”, thuhet në editorial.
Sipas tyre, ky propozim bëhet nën synimin për të përshpejtuar integrimin e dy shteteve në Bashkimin Evropian, teksa theksojnë se ky vendim do të sillte përfitime për të dyja palët.
“Zgjerimi i BE-së nuk ka qenë kurrë një akt bamirësie. Ishte një investim i dobishëm për të dyja palët. BE-ja fitoi tregje, talent, thellësi strategjike dhe stabilitet politik. Anëtarët e rinj fituan prosperitet, siguri dhe një zë në formësimin e Evropës”, vijon më tej shkrimi.
Më tej ata theksojnë se perspektiva e anëtarësimit mbetet motori më i fortë për reforma, investime dhe pajtim.
Në artikull është ngritur si shqetësim fakti që procesi i integrimit mund të bllokohet edhe për shkak të politikave të brendshme të shteteve, gjë që në këndvështrimin e Ramës dhe Vuçiç nuk është e drejtë.
“T’u thuash anëtarëve të ardhshëm se duhet të presin për reformat e BE-së përpara se të bashkohen do të ishte e barabartë me mbylljen e derës. Kjo do të ishte e gabuar, kundërproduktive dhe madje e rrezikshme në këto kohë”.
Dhe në fund editoriali mbyllet me mesazhin se një dizajn të kujdesshëm, besim të ndërsjellë dhe guxim të ri politik, kjo mund të bëhet një histori e re suksesi evropiane – jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për Evropën në tërësi.
Editoriali i Ramës me Vuçiqin u kritikua si në Kosovë, ashtu edhe nga opozita në Shqipëri, por siç duket “kritikohet” edhe nga BE.
Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, të enjten ka hedhur poshtë propozimin e Aleksandar Vuçiqit dhe Edi Ramës, të cilët bënë thirrje për përshpejtimin e integrimit të vendeve kandidate në tregun e përbashkët të BE-së dhe në hapësirën Shengen, pa marrë të drejtën e vetos.
Konkretisht, komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se nuk është e sigurt nëse Aleksandar Vuçiqi dhe Edi Rama e dinë se sa duhet të arrijnë nëse duan të jenë pjesë e Shengenit.
“Nuk jam e sigurt nëse Vuçiqi dhe Rama e dinë sa duhet të arrijnë nëse duan të jenë pjesë e Shengenit apo të tregut të përbashkët.
Dhe se procesi i reformave është i vështirë si për integrimin ekonomik, ashtu edhe për anëtarësimin në BE”, ka thënë Kos në intervistën e djeshme për Politico.
Refuzimi i Kos dhe sinjali për Kosovën
Publicisti Fadil Lepaja, thotë se refuzimi i Marta Kos rreth propozimit të Ramës dhe Vuçiqit është pozitive për Kosovën.
Sipas tij, Rama ka bërë një hap prapa në aspekt politik.
“Refuzimi i Marta Kos tregon se BE nuk pranon integrim të pjesshëm pa përmbushje të plotë të kushteve (përfshirë veton dhe standardet), duke dërguar sinjal se nuk lejohet anashkalimi i çështjes së Kosovës dhe se normalizimi me Kosovën mbetet kusht kyç. Për Kosovën, kjo është pozitive sepse nuk legalizohet status quo-ja, por edhe tregon se ajo gjithashtu nuk mund të kyçet pa plotësuar standardet dhe kushtet. Edi Rama ka bërë një hap prapa në aspekt politik pasi propozimi u refuzua dhe u perceptua si fleksibilitet ndaj Serbisë, por në fakt interesi i tij nuk kishte të bënte veç me Serbinë por edhe me kushtet që Shqipëria e ka të vështirë ti plotësojë”, deklaron Lepaja.

Publicisti Fadil Lepaja
Sipas tij, Vuçiq pritet ta përdorë këtë refuzim për narrativë kundër BE-së.
Ai shton se, refuzimi i BE-së, jo vetëm ndalon një precedent të rrezikshëm që do ta anashkalonte Kosovën, por edhe riafirmon se nuk ka integrim real pa zgjidhje reale dhe pa përputhje me vlerat themelore evropiane.
“Ndërsa Aleksandar Vuçiq pritet ta përdorë këtë refuzim për narrativë kundër BE-së dhe për të kërkuar alternativa te SHBA dhe Rusia. Në këtë kontekst, përpjekja e Serbisë dhe aleatëve të saj shihet si tentativë për të ruajtur rregullimin kushtetues të saj lidhur me Kosovën dhe për të avancuar ambicien për bashkimin e serbëve në rajon përmes një qasjeje kleronacionaliste ndaj BeH dhe Malit të Zi, që ndikon fuqishëm edhe jetën politike e shoqërore të vetë Serbisë. Ky model vlerash dhe marrëdhëniesh, i perceptuar si më tradicional dhe i centralizuar, bie në tension me standardet e demokracisë liberale dhe të drejtave të njeriut në BE, si dhe lidhet me ambicien për ndikim rajonal dhe afërsi me interesa ruse. Për rrjedhojë, refuzimi i BE-së jo vetëm ndalon një precedent të rrezikshëm që do të anashkalonte Kosovën, por edhe riafirmon se nuk ka integrim real pa zgjidhje reale dhe pa përputhje me vlerat themelore evropiane”, shton publicisti.
Ecuria e vendeve drejt BE-së
Shqipëria e fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2014, ndërsa negociatat për anëtarësim u hapën zyrtarisht në korrik të vitit 2022. Që atëherë, vendi ka bërë përparime të rëndësishme, veçanërisht në reformën në drejtësi, e cila konsiderohet një nga shtyllat kryesore të procesit të integrimit. Procesi i vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët është vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit. Megjithatë, sfida të mëdha mbeten ende, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në përmirësimin e funksionimit të institucioneve demokratike dhe administratës publike. Pavarësisht këtyre vështirësive, Shqipëria shihet si në një trajektore pozitive drejt afrimit me standardet evropiane.
Në anën tjetër, Serbia ka një avantazh kohor në këtë proces. Ajo e fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2012 dhe nisi negociatat për anëtarësim në vitin 2014. Serbia ka arritur të hapë një numër të konsiderueshëm kapitujsh negociues dhe disa prej tyre janë mbyllur përkohësisht, çka e vendos atë teknikisht më përpara krahasuar me Shqipërinë. Megjithatë, progresi i saj është ngadalësuar për shkak të sfidave politike, në veçanti lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Kosova, që mbetet një kusht kyç për avancimin drejt anëtarësimit në BE. Po ashtu, Serbia është kritikuar për mos harmonizim të plotë me politikën e jashtme të BE-së, sidomos në raport me Rusinë, si dhe për çështje që lidhen me lirinë e mediave dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
Rama- Vuçiq, Kosova dhe Evropa
Ndërsa, analisti nga Shqipëria, Ilir Vata thotë se rasti i shkrimit Rama- Vuçiq ishte më shumë një tregues se rajoni ka ende aktorë të politikës së vjetër që kërkojnë vëmendje si mënyrë për ta zgjatur pushtetin e tyre.
Sipas tij, përpjekja për ta shmangur Kosovën tregon se ata e dinë se Serbia nuk mund të bëhet pjesë e BE-së pa njohur Kosovën dhe Shqipëria nuk mund të anëtarësohet pa arritur standardet e kërkuara.
“E thjeshtë! Propozime të tilla, jashtë formatit të BE-së, janë agjenda personale për të tërhequr vëmendjen. Janë “fletrrufe” të tipit të vjetër, që shërbejnë si mundësi për të mbuluar mosarritjet dhe kushtet që BE u ka vendosur vendeve kandidate. Rasti i shkrimit Rama–Vuçiq ishte më shumë një tregues se rajoni ka ende aktorë të politikës së vjetër, të cilët kërkojnë vëmendje si mënyrë për të zgjatur pushtetin e tyre. Përpjekja për të shmangur Kosovën tregon se ata e dinë që Serbia nuk mund të bëhet pjesë e BE-së pa njohur Kosovën, dhe Shqipëria nuk mund të anëtarësohet pa arritur standardet e kërkuara. Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, flet në përputhje me qasjen e qeverisjes së BE-së, ku përparimi i secilit shtet varet nga reformat dhe meritokracia”, deklaron Vata.

Ilir Vata
Në Evropë nuk futesh me fjalë, por me reforma dhe përafërim real me standardet e BE-së, thotë Vata.
Sipas tij, liderët e Ballkanit Perëndimor kanë ende shumë për të bërë.
“Ndërkohë, pak ditë më parë, BE në mënyrë të heshtur hoqi sanksionet ndaj Kosovës, duke i hapur mundësinë për të vazhduar procesin evropian. Këto tregojnë qartë se rruga drejt BE-së kalon përmes arritjeve dhe standardeve evropiane, jo përmes deklaratave mediatike. Mendoj se liderët e Ballkanit Perëndimor kanë ende shumë për të bërë. Në Evropë nuk futesh me fjalë, por me reforma dhe përafrim real me standardet e BE-së”, përfundon Vata për “Bota sot”.
