Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha ka qenë së fundmi e ftuar në emisionin e njohur amerikan The Jennifer Hudson Show, ku foli për rrugëtimin e saj artistik, projektet e reja muzikore dhe albumin e shumëpritur Dirty Blonde.
Gjatë intervistës me moderatoren Jennifer Hudson, artistja ndau një kujtim personal nga rinia, duke treguar se kur ishte ende e panjohur kishte shkruar në derën e dhomës në shtëpinë e prindërve të saj në New York një mesazh motivues për veten.
Ajo kishte premtuar se një ditë do të bëhej superyll dhe do të krijonte një hit ndërkombëtar.
Sot, sipas saj, këto ëndrra janë bërë realitet, pasi gëzon një karrierë globale dhe ka realizuar disa nga këngët më të suksesshme të viteve të fundit.
Rexha theksoi gjithashtu se gjatë jetës ka bërë shpesh “manifestime” për të ardhmen e saj, shumë prej të cilave janë përmbushur, nga bashkëpunimet e rëndësishme e deri te paraqitjet në emisione prestigjioze televizive.
Megjithatë, këngëtarja pranoi se ekziston një dëshirë që ende nuk i është realizuar plotësisht, dashuria.
“Kam pasur shumë manifestime dhe shumica janë bërë realitet… përveç dashurisë”, u shpreh ajo me një ton emocional, ndërsa Hudson e inkurajoi duke i thënë se për këtë ka ende kohë.
Paraqitja e saj në këtë program vjen në një moment të rëndësishëm të karrierës së Rexhës, e cila po përgatitet për publikimin e plotë të albumit të ri, që pritet të shënojë një fazë të re artistike dhe të forcojë më tej pozicionin e saj në skenën ndërkombëtare.
