Artan Behrami, nga PDK ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk është i gatshëm për formimin e institucioneve të reja dhe se, sipas tij, synimi i tij mbetet dërgimi i vendit në zgjedhje.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Behrami tha se, nëse Kurti do të ishte i interesuar për zgjidhjen e ngërçit politik, do të kishte nisur negociatat për zgjedhjen e presidentit menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve.
“Nëse Kurti dëshiron të tregojë se me të vërtetë dëshiron të punojë për vendin, atëherë duhet ta ndërpresë vizitën në Greqi dhe ta ndërpresë këtë ekspeditë politike, për t’i nisur negociatat për presidentin. Ai ka mundur t’i fillojë ato që të nesërmen pas përfundimit të zgjedhjeve, sepse afatet kanë ekzistuar. Ka pasur mundësi ta bëjë këtë edhe herën e fundit”, ka deklaruar Behrami.
Sipas tij, mënyra se si po trajtohet procesi i konstituimit të institucioneve është pjesë e një strategjie politike që synon zgjedhje të reja.
“Kjo formulë, që fillimisht të zgjidhet kryetari e pastaj të diskutohet për presidentin, është formulë për zgjedhje. Z. Kurti duhet t’i marrë seriozisht këto procese dhe mund t’i zhvillojë negociatat, por ne kemi thënë vazhdimisht se synimi i tij janë zgjedhjet”, u shpreh Behrami.
