Bekim Jashari ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke mbrojtur pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Jashari shkroi në Facebook se po i përcjell zhvillimet me vëmendje të shtuar. “Me shqetësim të madh po ndjek pretendimet e rrezikshme të Prokurorisë së Gjykatës Speciale rreth luftës sonë çlirimtare.”
Sipas Jasharit, narrativat e paraqitura nga organi i akuzës nuk janë të bazuara në realitetin faktik, por burojnë nga Beogradi.
“Të gjitha këto akuza janë vazhdimësi e gjithë propagandës serbe, e cila fatkeqësisht ka arritur të depërtojë me lehtësi edhe në këtë gjykatë,” deklaroi ai.
Ai shtoi se vendimet e drejtësisë duhet të bazohen në fakte, të cilat tha se janë në anën e popullit që kërkoi liri. Jashari kujtoi se UÇK-ja respektoi normat ndërkombëtare dhe kishte mbështetjen e aleatëve perëndimorë.
“Për këtë luftë të drejtë, që respektoi ligjet ndërkombëtare të luftës, dëshmoi edhe bota demokratike me fakte se UÇK-ja është e pastër si loti dhe aleati kryesor i NATO-s për të instaluar paqen në Ballkan. Kjo është prova se Kosova nuk ishte agresori,” tha ai.
Ai kujtoi krimet mizore të kryera nga forcat serbe, duke kritikuar faktin se autorët e vërtetë të krimeve nuk po përballen me drejtësinë.
