Lajme

Bërnabiq: Masat për Kosovën sa më shpejt para parlamentit të Serbisë

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, tha sot se rregulloret në lidhje me masat për siç tha “mbështetjen e popullit serb të iniciuara nga presidenti Aleksandar Vuçiq do t’u prezantohen deputetëve sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Na pret shumë punë deri në Vitin e Ri. Është një grup ligjesh jashtëzakonisht i rëndësishëm që duhet të pasqyrojë të gjitha masat ndaj Kosovës, gjegjësisht masat për të mbështetur popullin tonë në Kosovë të iniciuara nga presidenti Vuçiq. Ne do të debatojmë atë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo për RTS.

Sipas saj, sapo ato ligje dhe vendime të konfirmohen nga parlamenti dhe t’i jepet “drita jeshile” Qeverisë së Serbisë që t’i zbatojë ato masa, kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e serbëve në Kosovë, shkruan Kosovo Online.

Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që pati përmendur presidenti serb Aleksandar Vuçiq më 13 shtator.