Lajme

Bërxuli: VV-ja po përcjell mesazhet te populli, opozita po çalon në organizim e targetim

Profesori universitar Dashamir Bërxuli ka vlerësuar se opozita në Kosovë nuk duhet krahasuar me Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar se dallimi mes tyre përbën një vlerë në vetvete.

Sipas tij, nëse edhe opozita do të ndiqte të njëjtin stil si pushteti, atëherë skena politike do të dominohej nga populizmi në të gjitha anët.

Megjithatë, ai theksoi se opozita ka dobësi në organizim dhe në mënyrën se si i ndërton dhe i përcjell mesazhet tek votuesit.

Bërxuli vuri në dukje se, edhe pse Partia Demokratike e Kosovës ka pasur një qasje më pozitive gjatë zgjedhjeve të fundit, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të fituar mbështetje më të madhe. Sipas tij, fokusi vetëm në ofertat ekonomike nuk mjafton për të bindur qytetarët.

Ai shtoi se partitë opozitare, përfshirë edhe Lidhjen Demokratike e Kosovës, nuk kanë arritur të artikulojnë mjaftueshëm tema të rëndësishme politike, siç janë çështjet e ndjeshme kombëtare, përfshirë Asociacionin dhe tema të tjera me ndikim të madh në opinionin publik.

“Opozita nuk është si Vetëvendosja, këtë duhet njohur si vlerë. Sepse, po të kishim një opozitë që do të ishin si VV-ja, atëherë ne do të kishim populizëm në secilën skaj. Si ka mundësi që mesazhe e VV-së ngjisin dhe të opozitës nuk ngjisin si duhet. Ka disa gjëra edhe opozita, të cilat çalojnë në vetorganizim në ndërtimin e mesazheve drejtuar votuesve, në targitimin e duhur të votuesve. E vërtetë që tonet e PDK-së kanë qenë pozitive në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe kj ka qenë një vlerë sipas meje. Por, siç duket nuk ka mjaftuar vetëm vlera ekonomike, apo oferta ekonomike për qytetarët, por është dashur të ketë edhe elemente të fuqishme politike, që përgjithësisht si PDK-ja dhe LDK-ja nuk i kanë artikuluar sa duhet, siç është çështja e asociacionit apo çështje të tjera të ndjeshme”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1. /teve1.info/

Të Ngjashme