Lajme

Besa Kokëdhima përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion me “Zemrën n’dorë”

Besa Kokëdhima do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2024! Me këngën “Zemrën n’dorë, Besa ka marrë besimin e publikut për të përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e  68-të të Eurovizion që do të mbahet në Malmo të Suedisë.

Teksa u ngjit në skenë për të marrë çmimin, e emocionuar Besa Kokëdhima falënderoi ekipin realizues të këngës e po ashtu edhe stafin realizuar të Festivalit të 62 të Këngës në RTSH.

“Faleminderit nga zemra, faleminderit familjes sime. Faleminderit shumë Kledi Bahiti, Darko Dimitrov, Rozana Radi, Petrit Sefaj, Erjon Zaloshnja dhe orkestrës, si dhe Bojken Lakos që është një perlë dhe që është një nga arsyet që kam marrë pjesë në Festival sivjet.

Ju falënderoj shumë, të gjithëve. Dhe faleminderit për mbështetjen të gjithëve do të bëj të pamundurën”, u shpreh Besa Kokëdhima, duke mos fshehur emocionet për çmimin dhe njëherësh përfaqësimin e vendit në skenën e madhe të Eurovizion 2024.

Fest 62, në përmbyllje të 4 netëve, ishte një spektakël me plot emocione, ku muzika, performancat, të ftuarit VIP, surprizat ishin kryefjala e tij.

Si rrallëherë, ky Festival u transmetua jo vetëm në Shqipëri, por edhe Kosovë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, duke dëshmuar edhe shtrirjen gjithnjë e më të madhe që po merr Festivali në mbarë trojet shqiptare.

  • – Çmimin e parë të Festivalit e fitoi Mal Retkoceri, me këngën “Çmendur”.
  • – Me Çmim të dytë u vlerësua këngëtari Tiri Gjoci, me këngën “Në ëndërr”.
  • -Me Çmimin e tretë të Festivalit të Këngës u vlerësua këngëtari Shpat Deda, me këngën “S’mund të fitoj pa ty”.
  • – Fitues për Çmimin e Kritikës është Martina Serreqi me këngën “Vetëm ty”.
  • – Fitues si Debutuesi më i mirë është Peter Pan Quartet, me këngën “Edhe një herë”.

11 anëtarët e Jurisë së Festivalit të Këngës, të kryesuar nga kompozitori Shpëtim Kushtam ishin këngëtarët Aleksandër Gjoka, Adelina Ismaili, Fitnete Tuda, Indrit Mesiti, shkrimtarja dhe përkthyesja Helena Kadare, poetja Nasha Lako, Victor Van Vought (producent muzikor), Zana Shuteriqi (muzikologoe, pedagoge), pianistja Anila Aliu dhe Shkumbin Ahmetxheka (drejtor i RTK).

 

View this post on Instagram

 

A post shared by BΞSΛ (@besaofficial)

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo