Bota

Biden dënon atentatin ndaj Trump dhe e telefonon privatisht

Presidenti Joe Biden ka dënuar atentatin ndaj Donald Trump, duke u bërë thirrje të gjithë amerikanëve ta dënojnë një dhunë të tillë “të sëmurë”.

Presidenti amerikan bëri thirrje për unitet pasi një person i armatosur qëlloi Trumpin në vesh, vrau dikë nga turma dhe plagosi dy të tjerë në një miting elektoral në Butler, Pensilvani. Personi i armatosur u vra nga agjentët e Shërbimit Sekret.

Në një deklaratë të lëshuar brenda një ore pas sulmit, Biden tha se “nuk kishte vend në Amerikë për këtë. Ne duhet të bashkohemi si një komb për ta dënuar atë. Është e sëmurë, është e sëmurë”.

Sulmi erdhi në mes të një gare të ethshme zgjedhore mes dyshes, të ngarkuar me ofendime personale dhe sharje.

TS Poll - Loading poll ...

“Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne nuk mund të jemi kështu. Ne nuk mund ta pranojmë këtë,” shtoi ai.

Ai tha se ishte “mirënjohës që dëgjoi se Trump është mirë. Po lutem për të dhe familjen e tij dhe për të gjithë ata që janë në miting. Jill [Biden] dhe unë i jemi mirënjohës Shërbimit Sekret për reagimin.”

Shtëpia e Bardhë më vonë në një deklaratë tha se Biden kishte folur edhe në telefon me rivalin e tij republikan. Ndërkaq menaxherët e fushatës së Biden thanë se po tërhiqnin reklamat televizive sa më shpejt që të jetë e mundur pas atentatit ndaj Trump.



/tiranapost