Lajme

“Biftek i klasit të parë”, reagon ish-gjenerali: Një ushtarak i FSK-së ndërroi jetë duke punuar për idare

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dje ka deklaruar se ushtarëve të FSK’së po iu servohet edhe biftek i klasit të parë.

Rreth kësaj deklarate ka reaguar ish-gjenerali i UÇK-së, Lahi Brahimaj.

Sipas tij ushtarët e FSK-së po detyrohen të mbajnë familjet, duke punuar punë sekondare si pasojë e kushteve të dobëta për punë.

“Ministri Maqedonci dje paska dhënë lajmin se rreth 1000 ushtarë paskan ngrënë biftekë të klasës të parë. Si nuk i vjen turp ministrit ta japë këtë deklaratë publike dy ditë pasi një ushtarak i FSK-së ndërroi jetë duke punuar për idare në një ditë vikendi ngase kushtet që ofron FSK-ja nuk mjaftojnë për të mbajtur familjen. Janë qindra-mijëra ushtarë që detyrohen të punojnë kamerierë, forca të sigurimit privat dhe çfarë pune tjetër fizike sa për të mbijetuar. Dhe për më keq, të njëjtit do i zë dimri me rroba të grisura, të vjetruara dhe pa kushte minimale për temperaturat e ulëta. Kjo ndodh kur një ministër koti krenohet me një racion ushqimi sa për t’i mashtruar militantët që janë në tension nga rënia e besimit të qeverisë në shkuarje”, shkruan Brahimaj në reagim.