Lajme

Billbordet pa leje hiqen, Peci: Kërkova përjashtim për billbordin e Thaçit dhe Veselit

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka njoftuar se autoritetet komunale kanë nisur largimin e tabelave reklamuese (billbordave) që janë vendosur pa leje dhe shfrytëzohen në mënyrë të kundërligjshme.

Peci theksoi se qëllimi është vendosja e rendit dhe ligjit në qytet.

“Të gjithë duhet të mësohemi që Mitrovicën ta bëjmë qytet normal ku sundon rregulli, rendi dhe ligji,” ka shkruar ai.

Sipas tij, institucionet komunale janë duke ndërmarrë veprime konkrete për të larguar të gjitha reklamat e vendosura pa leje.

“Autoritetet komunale po largojnë tabelat reklamuese/billbordat që janë vendosur pa leje dhe shfrytëzohen kundërligjshëm,” ka theksuar Peci.

Ai bëri të ditur se ka rekomanduar një përjashtim të vetëm, për shkak të rrethanave të veçanta.

“Si kryetar, u kam rekomanduar që të ketë përjashtim vetëm billbordi i vendosur për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe kryekuvendarin Kadri Veseli, për shkak të rrethanave në të cilat gjenden ata,” ka deklaruar ai.

Në reagimin e tij, Peci ka kritikuar edhe përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke i akuzuar për reagime të panevojshme.

“Përfaqësuesit e PDK-së që paskan dalë për të bërë filma në rrugë, le të pijnë ndonjë pije të ftohtë, sepse po iu dhimbsen bizneset e jo Thaçi e as Veseli,” ka shkruar Peci.

Të Ngjashme