Në një konferencë për media doli dy ditë më parë.
E aty, i pari i Ekzekutivit konfirmoi se nuk do vonojë shumë e do të rifillojnë diskutimet për presidentin.
Por siç duket, kryeministri Albin Kurti ende nuk ka ndërmarrë një veprim në këtë aspekt.
Në pritje të këtij takimi janë nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Natyrisht që PDK-ja gjithmonë ka qenë konstruktive dhe e interesime por edhe e gatshme me zgjidh çështjen e presidentin, por si duket pushteti nuk ka interesim”, thotë deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi.
Ftesë për takim nuk mori as Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët nuk pranuan të flasin për Tëvë1.
Një thirrje nuk e morën as nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ani pse thanë se edhe nëse u bëhet, nuk do të marrin pjesë.
“Po e shoh që qëllimshëm po zvarritet kjo çështje, afatet kohore kushtetuese po kalojnë, ne po i afrohemi datës që duhet të zgjidhet presidenti ndërsa nuk kemi angazhim serioz për këtë çështje”, shprehet Time Kadrijaj.
Se kur do të ndodh takimi, nuk pati një përgjigje as nga Vetëvendosje, anise Ministri i Financave Hekuran Murati, tha se po punohet në këtë çështje.
“Besoj që kryeministri është në kontakt të vazhdueshëm dhe shumë shpejt do të ketë njoftim për këtë”, tha Murati.
Sipas profesorit Jeton Kelmendi, kryeministri Kurti vetëm po blen kohë, meqë sipas tij, zgjedhjet janë të pashmangshme.
“Thjesht jemi në një stad që në qoftë se Albin Kurti dëshiron ta zgjedh presidentin, ia ofron atë PDK-së apo LDK-së dhe pastaj votat i kanë bashku për ta zgjedhur, përndryshe vendi do të shkoj në zgjedhje”, thotë ai.
Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 28 prilli, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
