Lajme

Bislimi: Raporti i Progresit dëshmon se po ecim me hapa të shpejtë drejt rritjes ekonomike dhe përafrimit me BE-në

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi thotë se Raporti i sivjetmë i Progresit dëshmon rritjen ekonomike dhe progresin e Kosovës.

Sipas Bislimit, ky raport rikonfirmon zhvillimin ekonomik.

“Raporti për Vendin 2024 si dëshmi e radhës e rritjes ekonomike dhe progresit të Kosovës. Raporti vjetor për vendin i hartuar nga Komisioni Evropian, rikonfirmoi zhvillimin ekonomik që po njeh vendi dhe indikatorët pozitiv makroekonomikë përgjatë qeverisjes sonë. Në kapitullin 2.3 të raportit ku flitet për zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë, theksohet rritja ekonomike, rritja e punësimit, rritja e të hyrave buxhetore, rritja e investimeve të huaja direkte, ulja e papunësisë, forcimi i stabilitetit makroekonomik, përmirësimi i raportit eksport-import, ulja e inflacionit, ulja e borxhit publik, zvogëlimi i informalitetit”, shkroi Bislimi në Facebook.

Ai tha se në raport “përmendet mbështetja e Qeverisë ndaj qytetarëve dhe politikat gjithëpërfshirëse veçanërisht në subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për rreth 200.000 amvisëri” dhe se “përgëzohet Kosova për konsolidimin fiskal, përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe zgjerimin e sektorit bankar”.

“Blloku i kritereve ekonomike është një prej më kryesoreve të procesit të integrimit evropian, dhe Kosova po tregon se po ecën me hapa të shpejtë drejt rritjes ekonomike dhe përafrimit me Bashkimin Evropian. Ka ende shumë punë për të bërë, por gjatë qeverisjes tonë po dëshmojmë maturi në dizajnimin e politikave ekonomike dhe drejtimin e vendit kah një trajektore e drejtë dhe e qëndrueshme e rritjes dhe zgjerimit të kapaciteteve të Kosovës”, shkroi Bislimi.